Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë, rritja e taksave për të ardhurat e larta dhe ndryshimi i mënyrës së taksimit të naftës janë në qendër të paketës së re fiskale. Kryeministri Edi Rama prezantoi dhjetë masa, që sipas tij synojnë lehtësimin e kostos së jetesës për familjet dhe një shpërndarje më të drejtë të barrës tatimore.
“Ne duam po ashtu sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri, sepse problemi nuk janë asnjëherë të pasurit, po është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak.”
Ndryshimi më i rëndësishëm për konsumatorët është ulja e TVSH-së ku Qeveria përllogarit se kjo masë do t'u kursejë familjeve rreth 150 milionë euro në vit. Por në të njëjtën kohë, TVSH-ja standarde për mallrat e tjera do të rritet nga 20 në 21 për qind.
“Ulim normën TVSH për ushqimet bazë – nga 20% në 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.”
Edhe të tatimi mbi pagat forcohet parimi ai që fiton më shumë paguan më shumë detyrime
Paketa parashikon ndryshime edhe në tatimin mbi pagat. Pragu i sipërm i tatimit do të zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj, duke lehtësuar sipas qeverisë 32 mijë tatimpagues. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë parashikohet një normë tatimi prej 30 për qind. Tatimi mbi fitimin e biznesit të madh mbetet 15 për qind, por tatimi mbi dividendin rritet nga 8 në 15 për qind. Bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit do t'i nënshtrohen TVSH-së, ndërsa në hoteleri norma rritet nga 6 në 10 për qind, me përjashtim të agroturizmit.
Taksa të reja paralajmërohen edhe për makinat e luksit, apartamentet e mbajtura bosh dhe vilat në bregdet. Në shënjestër të një sistemi të ri taksimi do të jetë edhe ekonomia digjitale, përfshirë të ardhurat nga rrjetet sociale.
Por një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët lidhet me çmimin e karburanteve. Qeveria synon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe kalimin e saj te automjetet.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.”
Kjo do të thotë se ulja e çmimit në pompë do të shoqërohet me një detyrim të ri për pronarët e automjeteve, niveli i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Masat janë pjesë e propozimeve për buxhetin e vitit 2027. Efekti real në xhepat e qytetarëve do të varet nga miratimi, zbatimi dhe mënyra se si ndryshimet tatimore do të reflektohen në çmime. (A2 Televizion)