Prag tragjedie mbi Los Anxhelos, dy avionët e pasagjerëve vetëm 5 sekonda larg përplasjes

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 14:24 | Bota

Prag tragjedie mbi Los Anxhelos, dy avionët e pasagjerëve vetëm 5

Dy avionë pasagjerësh të mbushur plot u shpëtuan për pak nga një përplasje ajrore vetëm pesë sekonda para katastrofës, pasi piloti i avionit italian injoroi udhëzimet e kontrollit ajror, duke kërkuar më pas falje në mënyrë të përulur.

Dy avionë pasagjerësh janë afruar rrezikshëm me njëri-tjetrin në qiellin e Los Anxhelosit javën e kaluar, pasi një pilot injoroi urdhrat e kullës së kontrollit gjatë ngritjes. Një aksident katastrofik u shmang falë një kontrollori ajror, i cili arriti t’i paralajmëronte pilotët në kohë, sipas gazetës italiane Corriere della Sera.

Ngjarja ndodhi të premten pasdite në aeroportin LAX, kur një avion i ITA Airways, që kishte destinacion Romën, mori lejen për t’u ngritur nga pista 24 dhe u udhëzua nga kontrollori që të kthehej majtas.

Menjëherë pas tij, një avion i American Airlines, që udhëtonte për në aeroportin JFK në Nju Jork, mori gjithashtu lejen për t’u ngritur nga pista 25, me udhëzimin që të kthehej djathtas pas ngritjes, sipas të dhënave të faqeve të trafikut ajror.

Pilotëve të fluturimeve ITA AZ621 dhe American AA4 u ishin dhënë udhëzime të qarta nga kontrolli ajror i aeroportit të Los Anxheles për të ruajtur distancën e nevojshme midis tyre. Por, pavarësisht udhëzimeve, vetëm dy minuta pas ngritjes, piloti i avionit italian u kthye majtas përpara koordinatave të përcaktuara, duke e afruar rrezikshëm avionin me Airbus-in A321 të American Airlines.

Distanca minimale horizontale midis avionëve, që fluturonin me shpejtësi 350 deri në 400 kilometra në orë, ishte rreth 920 metra, ndërsa diferenca vertikale vetëm 15 metra që do të thotë se ata ishin vetëm pesë ose gjashtë sekonda larg një përplasjeje fatale.

Kontrollorët e trafikut ajror e vunë re menjëherë rrezikun dhe i thanë me ton të ashpër pilotit të ITA Airways që të “kthehej menjëherë djathtas”, ndërsa avionit të American Airlines iu tha të ndalonte ngjitjen në 457 metra. Pasi të dy pilotët vepruan sipas udhëzimeve, kontrollorët kontaktuan përsëri me pilotin italian dhe e qortuan.

“Ju duhej të ruanit drejtimin e pistës. A ka ndonjë arsye pse u kthyet në jug?”, iu tha atij, sipas regjistrimeve të komunikimeve të kontrollit ajror. Piloti italian kërkoi falje në mënyrë të përulur, duke thënë: “Më falni.”

Kontrollori më pas i tha ekuipazhit të American Airlines: “Na vjen keq për atë që ndodhi. Trafiku në veri u kthye në jug me nismën e vet, direkt përpara jush.” Të dy fluturimet vazhduan udhëtimin pa probleme të tjera.

Sipas rregulloreve të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA (FAA), pas një ngjarjeje të tillë, ekuipazhet duhet të kontaktojnë agjencinë lokale për të dhënë një raport hetimor.

Një zëdhënës i ITA Airways i tha Daily Mail: “Kompania po përfundon vlerësimet e kërkuara nga rregulloret dhe procedurat e brendshme. Konfirmohet që fluturimi u zhvillua normalisht dhe u ul përpara orarit në aeroportin Fiumicino të Romës. ITA Airways konfirmon se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është përparësia kryesore e kompanisë.”

Ngjarja e rrezikshme ndodhi pak ditë pas një aksidenti tjetër ajror, ku një avion mallrash i UPS u rrëzua të martën pasi u ngrit nga aeroporti ndërkombëtar “Muhammad Ali” në Louisville, Kentucky, duke shkaktuar vdekjen e 11 personave. Avioni McDonnell Douglas MD-11 shpërtheu pak pas ngritjes, dhe autoritetet konfirmuan se motori ishte shkëputur nga trupi i avionit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos