Projektligji për kinematografinë, 70 % e parave do shkojnë për filma, të tjerat seriale e videolojëra

Nga Luela Myftari
12 Tetor 2026, 17:22 | Kulturë

Bisedimet kanë nisur prej një viti, për projektligjin e ri për kinematografinë. Disa nga kineastët kanë deklaruar që nuk janë thërritur në tryezat e bisedimeve, të tjerë pohojnë se debate ka pasur. Jonid Jorgji, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë thotë se diskutime ka pasur dhe shumë janë të të njëjtin mendim, ndryshimet duhen bërë patjetër. Kuadri ligjor aktual është formuluar në vitin 1996-ën.

“Në konsultim edhe me komunitetin, do të shohim se ku do të investohemi më tepër. Në ligjin aktual kemi parashikuar që 70% e buxhetit të shkojë për kinematografinë, pra për filmin autor, që duam ta rrisim dhe fuqizojmë, dhe 30% e buxhetit për sektorin audiovizual, ku përfshihen serialet, videolojërat dhe produktet imersive”.

Ndër risitë e propozuara janë incentivat financiare përmes një skeme rimbursimi deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara të kryera në Shqipëri nga produksionet shqiptare dhe të huaja.

“Rimbursimi është një term që artikulohet në të gjithë botën. Për fat të keq, në rajon ne jemi të fundit, por nuk jemi kurrë vonë dhe jemi pikërisht në momentin e duhur, kur edhe interesi për ta parë Shqipërinë si lokacion filmi është rritur. Cash rebate, ose ndryshe rimbursimi me një vlerë prej 35% që ne sot propozojmë, shkon drejtpërdrejt te kompanitë shqiptare që bashkëprodhojnë me kompani të huaja në Shqipëri, por edhe për projekte lokale. Ai fuqizon industrinë, sjell produksione shqiptare dhe të huaja në vendin tonë dhe krijon ndikim në turizëm, vende pune, rritjen e kapaciteteve dhe ekonomi.”

Në konferencë ishte e pranishme edhe Lira Pipa, zëvendësministre që me rëndësi konfirmoi se ndryshimet për hartimin e kuadrit të ri ligjor dhe zbatimin e mekanizmave financiarë bëhen në bashkërendimit me Komisionin Europian.

“Ky ligj nuk është vetëm një ligj i kërkuar shprehimisht për sektorët që mbulojmë dhe që janë sot në fushat e interesit të kësaj ministrie, pra Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por duhet të bashkërendojmë patjetër edhe me Komisionin Europian. Është një proces mjaft kompleks i kuadrit ligjor, sepse përfshin edhe mekanizma që lidhen meantikorrupsionin dhe pastrimin e parave. Por këto incentiva janë të domosdoshme dhe janë parashikuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Kulturës, të cilën e kemi miratuar në korrik.”

Projektligji parashikon gjithashtu një Program Kombëtar katërvjeçar, zgjerimin e kategorive të financimit dhe mbështetjen për edukimin profesional përmes bursave dhe shkëmbimit të përvojave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos