Preken edhe shqiptarët, Farage prezanton planin anti-emigracion, i kursen Britanisë 230 mld paund

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 08:51 | Bota

Preken edhe shqiptarët, Farage prezanton planin anti-emigracion, i kursen

Qindra mijëra emigrantë do të detyrohen të largohen nga Mbretëria e Bashkuar nëse partia Reform UK fiton zgjedhjet e ardhshme. Kështu ka deklaruar lideri i saj Nigel Farage duke insistuar se ky veprim do t’i kursejë shtetit më shumë se 230 miliardë paund.

Kreu i partisë është zotuar të ndalojë atë që e quan mashtrimi i vendosjes së përhershme ligjore për shtetasit e huaj dhe ka paralajmëruar se mosmarrja e masave ndaj këtij problemi është një "bombë fiskale me sahat" që mund të çojë në falimentimin e vendit.

Farage premton se do të shfuqizojë statusin e njohur si "leje e pacaktuar për të qëndruar" (ILR – Indefinite Leave to Remain), i cili u jep të drejtë emigrantëve që kanë jetuar më shumë se pesë vjet në Mbretërinë e Bashkuar që të përfitojnë ndihma ekonomike dhe të aplikojnë për shtetësi.

Reform UK vlerëson se 3.8 milionë emigrantë që kanë ardhur pas pandemisë do të jenë të kualifikuar për ILR ndërmjet viteve 2026 dhe 2030, dhe pretendon se shumë prej tyre do të përfundojnë në sistemin e ndihmave sociale ose janë punëtorë të pakualifikuar që do të sjellin edhe familjarë të tjerë për t’u bashkuar me ta.

Duke i ndaluar të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar, Farage thotë se do të kursehen 234 miliardë paund gjatë jetës së tyre, të cilat do të përdoren për përfitime sociale.

PLANI  I FARAGE:

·         Nuk do të jepen më ILR të reja

·         Emigrantët që tashmë kanë këtë status (të quajtur “status i vendosur”) do ta humbin atë

·         Ata që duan të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të aplikojnë për vizë të ripërtëritshme 5-vjeçare, me kushte më të rrepta, si:

o    Njohja e gjuhës angleze

o    Të ardhura të larta

o    Kufizime për numrin e familjarëve që mund të sjellin

Ata që nuk e plotësojnë kriterin, do të humbin ndihmat nga shteti dhe do të pritet të largohen vullnetarisht ose do të përballen me dëbim, sipas planit të rreptë të Reform UK për emigracionin ilegal, të quajtur operacioni "Rikthimi i Drejtësisë".

Në dokumentin zyrtar, që do të publikohet të hënën, thuhet se ndryshimet do të bëhen në mënyrë graduale dhe të rregullt, në mënyrë që bizneset të kenë kohë të trajnojnë punëtorë britanikë për t’i zëvendësuar emigrantët. Reform UK deklaron se po jep sinjalin që epoka e fuqisë punëtore të lirë të huaj ka përfunduar.

Gjithashtu, Farage është zotuar se vetëm shtetasit britanikë do të kenë të drejtë për përfitime sociale. Periudha e pritjes për shtetësi, e cila aktualisht është një vit pas marrjes së statusit të qëndrimit të përhershëm do të zgjatet, për të parandaluar që shtetësia të jepet "lirshëm" sipas tij.

"Konservatorët dhe Laburistët e kanë kthyer Mbretërinë e Bashkuar në një bankë ushqimore për gjithë botën", tha Farage. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos