
Shtetet e Bashkuara u ndalën për t’i dhënë lamtumirën aktivistit konservator Charlie Kirk, i vrarë më 10 shtator gjatë një aktiviteti në Utah. Ceremonia u mbajt në State Farm Stadium të Glendale, Arizona, ku morën pjesë mbi 200 mijë persona, duke e kthyer ngjarjen në një nga funeralet më të mëdha politike në historinë amerikane.
Funerali nisi me tingujt e “Amazing Grace”, ndërsa stadiumi ishte mbushur me qytetarë të veshur me ngjyrat e flamurit amerikan. Të pranishëm ishin figura të larta të administratës, përfshirë presidentin Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ministrin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. dhe shumë të tjerë. Në sallë u shfaqën gjithashtu Elon Musk dhe Steve Bannon, ky i fundit duke transmetuar live nga stadiumi, shkruan A2 CNN.
Trump, i cili foli para turmës, e përshkroi Kirk-un si “një burrë të madh, të respektuar nga të rinjtë” dhe i dërgoi ngushëllimet familjes së tij. Ndërkohë, këshilltari Stephen Miller tha se “armiqtë e kombit nuk do të ndalin kurrë kauzën për të cilën luftoi Kirk”.
Megjithatë, ceremonia nuk kaloi pa polemika. Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, kritikoi republikanët, duke i akuzuar se “po përdorin një krim të tmerrshëm për të sulmuar kundërshtarët politikë”. (A2 Televizion)