“Putini i ka dhënë provat që është ari agresiv që kafshon territore europiane”. Kështu u shpreh në Dita Jonë në A2 CNN studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Sokol Kondi, sipas të cilit Rusia po shpërfaq orekse territoriale duke synuar Rusinë e Madhe.
“Putini është aty në kufijtë e lindjes së Europës dhe i ka dhënë provat që është ari agresiv që kafshon territore europiane në suazën e asaj që ëndërron rikthimin e një Rusie të madhe. Megalomania ruse mbetet e tillë që me zhvillimin ekonomik e ushtarak po shpërfaqet me orekse territoriale”.
Por sipas studiuesit Europa nuk është kafshatë e lehtë për Putinin, për shkak të avancimit teknologjik që ka SHBA dhe disa vende europiane, ndërkohë që Rusia në dy vjet luftë ka përdorur stoqet e vjetra.
"Nuk mendoj që Europa është kafshatë e lehtë, po të shohim që në Ukrainë ka dy vjet që ka bërë përparime modeste. Ai ka përdorur stoqet e vjetra, jo arsenalin e teknologjisë së fundit. makineria e tij prodhuese dhe ekonomia ruse nuk ka njohur inflacion edhe pse është në luftë. Është tre-katërfishuar tregtia me Kinën. Avancimi teknologjik që kanë SHBA e disa vende të Europës nuk do ta bënte një kafshatë kaq të lehtë për Putinin, por incidentet janë të rrezikshme dhe mund të shërbente si ‘casus belli’”, tha Kondi.
Alarmi i NATO-s sipas tij rrit gatishmërinë për skenarin më të keq, pro Kondi nënvizon në A2 CNN se nuk mund të zhbëhen mekanizmat që kanë ruajtur paqen për gati 80 vjet.
“Që të merren masa dhe ngrihen alarme është më mirë, të jesh në gatishmëri se të kurosh pasoja. Më mirë të parandalosh se të kurosh. Deklarata e shefit të NATO-s si një alert e vigjilencë e shtuar për të qenë gati në rastin e skenarin më të keq të mundshëm, por nuk mendoj që kanë rënë të gjitha siguresat e sigurisë ndërkombëtare. Jemi 80 vjet pas mbarimit të luftës së dytë botërore dhe ato mekanizma që kanë ruajtur paqen nuk mund të zhbëhen”, theksoi ai.
Kujtojmë se që prej 10 shtatorit kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë NATO është angazhuar për të forcuar mbrojtjen në rajonin Lindor.
(A2 Televizion)