Presidenti i Iranit: Ne duam paqe afatgjatë

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 16:01 | Bota

Presidenti i Iranit: Ne duam paqe afatgjatë

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar për herë të parë se disa vende kanë nisur përpjekje ndërmjetësimi për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, edhe pse ai nuk i identifikoi ato. Mes vendeve që kanë ofruar ndërmjetësim që nga fillimi i sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite të shtunën e kaluar përmenden Katari, Turqia, Egjipti dhe Omani.

Dy ditë më parë, ministria e jashtme e Iranit kishte deklaruar se ishte moment për mbrojtje dhe jo për diplomaci. Në një postim në rrjetin X, Pezeshkian theksoi se Irani është i përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon, por nuk do të hezitojë të mbrojë dinjitetin dhe sovranitetin e tij. Ai shtoi se çdo ndërmjetësim duhet të përqendrohet te ata që, sipas tij, nënvlerësuan popullin iranian dhe ndezën konfliktin.

Lufta shpërtheu ndërkohë që Irani ishte në negociata me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor. Sulmet e fundit amerikano-izraelite erdhën në një kohë kur bisedimet ishin ende në zhvillim. Megjithatë, deklaratat e fundit nga Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk tregojnë gatishmëri për negociata të shpejta.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se fuqia e zjarrit kundër Iranit do të “rritet ndjeshëm”, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan fillimin e një faze të re dhe më intensive të operacioneve ushtarake. Pezeshkian ka deklaruar disa herë që nga fillimi i luftës se është shumë vonë për negociata, duke theksuar më shumë nevojën për një lidership të ri në Iran që mund të shmangë një ndryshim të plotë të regjimit, që sipas tij është objektivi i Izraelit.

Ndërkohë, aleanca e dobësuar e grupeve reformiste në Iran ka propozuar zgjedhjen e një udhëheqësi suprem të ri që do të sfidonte propagandën amerikane se Irani është një vend që nxit luftë dhe që do të ulte polarizimin e brendshëm. Fronti Reformist, që ndihmoi Pezeshkian të zgjidhej president rreth 18 muaj më parë, paralajmëroi se sulmet ndaj objektivave amerikane jo-ushtarake në rajon po e dobësojnë mbështetjen ndërkombëtare për Iranin si viktimë e agresionit.

Sipas tyre, zgjedhja e një lidershipi të ri mund të dërgonte një mesazh paqeje dhe të hapte një epokë të re politike me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe civile. Zgjedhja e udhëheqësit suprem bëhet nga Asambleja e Ekspertëve me 88 anëtarë, ndërsa aktualisht vendi drejtohet nga një këshill i përkohshëm tri-palësh.

Raporte të ndryshme sugjerojnë gjithashtu se Donald Trump kundërshton idenë që Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, të pasojë babanë si udhëheqës suprem. Reformistët kërkojnë edhe lirimin e të burgosurve politikë dhe aktivistëve civilë përmes një amnistie të përgjithshme, duke argumentuar se në një luftë kundër një armiku me teknologji të avancuar ushtarake dhe informative, uniteti kombëtar është thelbësor.

 Edhe pse reformistët kanë ndikim të kufizuar brenda Iranit, deklaratat e tyre tregojnë një debat të brendshëm mbi mënyrën se si vendi mund t’i japë fund izolimit ndërkombëtar dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane po fokusohen kryesisht te sukseset ushtarake dhe viktimat civile, duke raportuar pak për dëmet e shkaktuara në infrastrukturën ushtarake të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos