
Një 44-vjeçar është arrestuar në Kuçovë, ndërsa vëllai i tij 40-vjeçar është proceduar penalisht, pasi në dy subjektet që administronin u gjetën lëndë narkotike dhe armë të ftohta.
Gjatë kontrolleve në një berberhane dhe në banesën e 44-vjeçarit u sekuestruan doza Cannabisi dhe përforcues grushti. Ndërsa në servisin e automjeteve të vëllait të tij u gjetën dy thika.
Policia dyshon se lënda narkotike mbahej me qëllim shitjen. Materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit.
Njoftimi i Policisë Kuçovë
Mbanin në 2 subjektet e tyre, lëndë narkotike, me qëllim shitjen, dhe armë të ftohta, vihet në pranga 44-vjeçari dhe procedohet penalisht vëllai i tij.
Sekuestrohen sasi dhe doza Cannabisi, mjete prerëse dhe përforcues grushti.
Në kuadër të kontrolleve permanente, në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e vënies së tyre në funksion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin L. T., 44 vjeç, banues në Kuçovë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vëllanë e tij, shtetasin F. T., 40 vjeç.
Në subjektin (berberhane) dhe në banesën e të arrestuarit u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, si dhe përforcues grushti.
Ndërkaq, në subjektin (servis për automjete) e të proceduarit u gjetën 2 mjete prerëse (thika).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)