Presidenti i Libanit: Diplomacia është luftë pa gjak, synohet arritja e një zgjidhjeje afatgjatë në rajon

Nga A2 CNN
21 Prill 2026, 16:31 | Bota

Presidenti i Libanit: Diplomacia është luftë pa gjak, synohet

Presidenti i Libanit, Aoun, ka mbrojtur publikisht vendimin për të zhvilluar negociata me Izraelin, duke e cilësuar diplomacinë si “luftë pa gjak”.

Gjatë një takimi me një delegacion deputetësh dhe kryebashkiakësh nga distrikti Jezzine në jug të vendit, Aoun theksoi se dialogu diplomatik nuk duhet parë si një shenjë dobësie. Ai sqaroi se negociatat nuk nënkuptojnë “lëshim apo dorëzim”, por janë një mjet për zgjidhjen e konflikteve dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

Në një postim në rrjetin social X, presidenti libanez u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin institucionet shtetërore në këtë moment të ndjeshëm për vendin, duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar përballë sfidave të sigurisë dhe stabilitetit.

Aoun nënvizoi gjithashtu se prioritetet e Libanit në çdo marrëveshje të mundshme mbeten të pandryshuara: ndalimi i agresionit izraelit, tërheqja e forcave izraelite nga territoret libaneze dhe kthimi i të burgosurve. Ai la të kuptohet se çdo proces negociator do të udhëhiqet nga këto objektiva, duke synuar arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos