Është një ditë shumë e rëndësishme në Islamabad. Në Pakistan takohen sot delegacionet e Amerikës dhe të Iranit, në tryezën që mund të vendosë fatin e paqes apo rinisjen e luftës.
Sot është dhe dita e fundit e armëpushimit që skadon të mërkurën. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se një zgjatje e tij është “shumë e pamundur”, shkruan A2.
Kryetari i Parlamentit të Iranit nga ana tjetër, njofton se Teherani po përgatit “karta të reja në fushën e betejës” nëse luftimet me SHBA-në rifillojnë. Një tjetër zyrtar, Gholamhossein Mohseni Ejei, kreu i gjyqësorit të Iranit, tha se Teherani duhet të “ruajë gatishmëri 100%” në rast se SHBA-të nisin sulme të reja, sipas një videoje të postuar nga media shtetërore iraniane Fars.
Ekziston një “mundësi e fortë” për bombardime të tjera, tha Ejei, duke shtuar se SHBA-të ende nuk i kanë arritur objektivat e tyre të luftës, pavarësisht vrasjes së shumë zyrtarëve të lartë të Iranit. Në një video të veçantë të postuar nga Fars, kreu i gjyqësorit tha se Irani do t'i përgjigjet konfiskimit nga Amerika të anijes me flamur iranian në Gjirin e Omanit të dielën, duke e quajtur atë një “shkelje” të armëpushimit. Sakaq, presidenti Trump i është kthyer sërish sulmeve ndaj mediave.
“Operacioni ‘Çekani i Mesnatës’ solli një zhdukje të plotë dhe totale të vendeve të Pluhurit Bërthamor në Iran. Prandaj, gërmimi i tij do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë”, tha Trump.
Presidenti amerikan vazhdon të komentojë luftën me Iranin në rrjetin e tij social, Truth, ndërsa shkruan me ironi se “udhëheqja në Teheran ka detyruar qindra anije të drejtohen drejt Shteteve të Bashkuara, kryesisht Teksasit, Luizianës dhe Alaskës, për të marrë naftë”.
“Po fitoj luftën me rezultat të thellë. Gjërat po shkojnë mirë pasi ushtria jonë ka qenë e shkëlqyer”, shkruan Trump. Presidenti amerikan shprehu besim se Irani do të negociojë, duke shtuar se përndryshe “ata do të përballen me probleme që nuk i kanë parë kurrë më parë”.
Ndërkohë, në Ngushticën e Hormuzit ka pak lëvizje. CNN raporton se gjatë të hënës kaluan vetëm 16 anije. Irani pretendon se një anije e tij ka thyer bllokadën e SHBA-së dhe po shkon në ishullin Kharg. (A2 Televizion)