Princi William bëri një vizitë në Bazën Ajrore të Ushtrisë në Wattisham, Suffolk, ku u prezantua si koloneli i ri i përgjithshëm i Korpusit Ajror të Ushtrisë (AAC).
Teksa bisedonte me ushtarët për ritmin e jetës dhe kontaktin me familjen, Princi tha me të qeshur: "Disa ndoshta nuk duan t'ju shohin aq shpesh. Familja është si një pako e përzier." Komenti u bë në një moment pushimi gjatë një sesioni stërvitor fizik, ku ai shtoi gjithashtu: “Është mirë t’i shkarkosh frustrimet mbi një thes grushtimi.”
Ai premtoi të ndërmerrte hapa për të përmirësuar çështjet e akomodimit të ushtarëve, duke thënë: “Ka gjasa që nuk është parë prej kohësh. Do jetë diku në një fletore të madhe mbi ndonjë tavolinë... nëse më dëgjojnë, kjo është tjetër punë.”
William mbërriti në bazë me një helikopter Wildcat, pjesë thelbësore e flotës së AAC. Ai mori informacione për aktivitetin e skuadroneve, përfshirë 664-n, dhe zhvillimet teknologjike të helikopterëve të rinj Apache AH-64E. Në një tendë operative, u ul pranë një kompjuteri kontrolli dhe pyeti për sistemet e navigimit dhe leximin e hartave, shkruan A2 CNN.
Përpara se të largohej, mori pjesë në “Archer’s Breakfast”, ku ndihmoi në shërbimin e ushqimit për ushtarët dhe familjarët e tyre, duke ofruar me humor: “Kjo po më bën të më lëngojë goja!” Ai bisedoi me fëmijët Ida dhe Archie, të cilët u mahnitën nga takimi, dhe vlerësoi punën e babait të tyre. (A2 Televizion)