Revolta në burgun italian, 200 të dënuar përfshihen në trazira, plagosen 4 policë

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 19:02 | Bota

Revolta në burgun italian, 200 të dënuar përfshihen në

Një revoltë e ashpër ka shpërthyer në burgun Marassi të Genovës, duke përfshirë rreth 200 të burgosur dhe duke shkaktuar plagosjen e katër agjentëve të policisë penitenciare. Dy prej tyre janë dërguar në spital, ndërsa dy të tjerë janë mjekuar në vendngjarje. Disa qeli janë dëmtuar rëndë, dhe një pjesë e të burgosurve u ngjitën mbi çatitë e ndërtesave dhe mbi murin rrethues të burgut, por më pas zbritën vetë.

Policia, karabinierët dhe roja financiare qëndruan në gatishmëri jashtë ambienteve të burgut për të ndërhyrë në rast përshkallëzimi. Autoritetet mbyllën rrugët përreth për arsye sigurie, ndërsa ambulanca dhe zjarrfikësja u thirrën për ndërhyrje emergjente.

Sipas hetimeve të para, trazirat nisën pas një proteste të disa të burgosurve, të cilët më pas hapën edhe qelitë e tjera duke përhapur kaosin. Dyshohet se shkas për revoltën është bërë një ngjarje e rëndë: përdhunimi i një të burgosuri nga gjashtë të tjerë disa ditë më parë. Viktima u dërgua në spital për trajtim mjekësor mbrëmjen para shpërthimit të revoltës.

Burgjet italiane po përballen me mbipopullim të theksuar – në Marassi janë 700 të burgosur në një strukturë me kapacitet për 530. Sindikatat e policisë së burgjeve paralajmërojnë se situata është jashtë kontrollit dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Gennarino De Fazio nga sindikata Uilpa theksoi se kriza nuk zgjidhet me masa shtypëse, por me reforma në sistem, ulje të mbipopullimit, përmirësim të kushteve dhe shtim të stafit. Revolta e Marassi-t është një tregues i qartë i degradimit të sistemit penitenciar në Itali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos