Publikoi një karikaturë të profetit Muhamed, sulmohet selia e gazetës në Stamboll dhe arrestohet karikaturisti

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 09:31 | Bota

Publikoi një karikaturë të profetit Muhamed, sulmohet selia e

Një grup personash sulmuan zyrat e revistës javore satirike turke Leman në Stamboll, pasi revista publikoi një karikaturë që përshkruante Muhamedin. Sipas raporteve të mediave lokale, disa islamistë u përpoqën të hapnin me forcë derën e ndërtesës në qendër të qytetit, duke thyer dritaret me gurë dhe shkopinj, përpara se të ndaloheshin nga policia. Autori i karikaturës u arrestua.

Videoja e arrestimit të autorit të karikaturës në rrjetet sociale "I mallkoj edhe një herë ata që përpiqen të përhapin hipokrizi duke pikturuar karikatura të Profetit tonë", tha Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya në X, duke njoftuar arrestimin e artistit, të identifikuar me inicialet DP, dhe duke publikuar një video që tregon oficerët e policisë duke arrestuar një person, në shkallët e një ndërtese.

Ministri turk i Drejtësisë, Ylmaz Tunc, foli gjithashtu kundër karikaturës, duke shkruar në X: "Mosrespektimi i bindjeve tona nuk është kurrë i pranueshëm". Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit ka nisur një hetim gjyqësor për krimin e "fyerjes publike të vlerave fetare", sipas nenit 216 të Kodit Penal Turk. Përveç karikaturistit, zyra e prokurorit ka lëshuar një urdhër ndalimi kundër tre personave të tjerë, përfshirë dy redaktorë dhe kryeredaktorin përgjegjës për gazetën.

Çfarë kishte në karikaturën inkriminuese? Karikatura ofenduese e botuar në numrin e 26 qershorit përshkruan Muhamedin dhe Moisiun të pezulluar në ajër mes një breshëri plumbash dhe bombash, në sfondin e një qyteti që digjet. Muhamedi përshëndet Moisiun me një përshëndetje tipike myslimane (Selam aleykum) dhe Moisiu përgjigjet me një përshëndetje tipike hebraike (Aleikhem shalom) ndërsa të dy shtrëngojnë duart.

Kjo nuk është hera e parë që revistat satirike sulmohen në Turqi. Në vitin 2012, njerëzit i vunë flakën zyrës së Penguen, e cila u mbyll vitet e fundit, ndërsa në vitin 2011, Bahadir Baruter, një satirist i njohur, u nxor në gjyq për një karikaturë që tallte fenë, i akuzuar për "fyerje të vlerave fetare". Në vitin 2015, dy gazetarë të së përditshmes Cumhuriyet, Ceyda Karan dhe Hikmet Cetinkaya, ishin në qendër të një padie ligjore për publikimin, së bashku me emrat e tyre në editorialet e tyre, të kopertinës së revistës javore Charlie Hebdo që doli në Francë pas sulmit ndaj revistës franceze më 7 janar të atij viti, të marrë përsipër nga Al Kaeda dhe që mori jetën e 12 personave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos