Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës. I ftuar në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçen në A2 CNN, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika e konsideroi këtë akt “të rëndësishëm në aspektin politik, diplomatik dhe simbolik”, por theksoi se në praktikë gjendja në terren nuk ndryshon.
“Kemi një mësymje izraelite ku një pjesë e mirë e popullsisë palestineze po zhvendoset nga territoret. Qëndrimet e vendeve europiane kanë më shumë rol humanitar, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë ndihmat në Gaza,” tha ai.
Çika paralajmëroi se situata humanitare në Gaza është alarmante, me rreth 2 milionë palestinezë të zhvendosur që nuk kanë ku të shkojnë, pasi asnjë vend i rajonit nuk i pranon. “Izraeli ka hyrë me trupa për zhvendosjen e palestinezëve. Kjo është një situatë shumë e nderë, një katastrofë humanitare që duhet të jetë prioritet i arenës ndërkombëtare,” theksoi ai në A2 CNN.
Sa i përket ndikimit të njohjeve, Çika u shpreh se ato shërbejnë si presion politik dhe diplomatik për ndalimin e luftës, por ndikimi i tyre praktik është i kufizuar. “I vetmi shtet që realisht mund të ndryshojë qëndrimin e Izraelit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përtej tyre, njohjet e tjera janë pozitive, por nuk kanë peshë të drejtpërdrejtë,” tha Çika. (A2 Televizion)