“Putini do të shkatërrojë gjithçka”. Rusia sulmon dhe djeg Ukrainën, errësirë totale dhe frikë

Nga Xhevahir Qardaku
30 Tetor 2025, 15:22 | Bota

Në Ukrainë mbizotëron errësira, ndërsa e vetmja dritë në horizont është ajo e flakëve. Rusia ka kryer një prej sulmeve më masive të kohëve të fundit me dronë dhe raketa. Në shënjestër përfundoi infrastruktura energjetike e gjithë Ukrainës, duke shkaktuar një blackout dhe kufizime në të gjitha rajonet e vendit, shkruan A2 CNN. Kështu bëjnë me dije autoritetet në Kiev, ndërsa kryeministrja e konsideron strategjinë e Rusisë, një “terrorizëm energjetik sistematik”.

Bilanci nga sulmet e fundit flet për 3 viktima dhe dhjetëra të plagosur, mes të cilëve fëmijë. Presidenti Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë se po kërkon të shkatërrojë gjithçka dhe se ka lëshuar mbi 650 dronë dhe 50 raketa të llojeve të ndryshme në valën e fundit të bombardimeve. “Rusia vazhdon luftën e saj terroriste kundër vetë jetës dhe prandaj është thelbësore që çdo sulm kundër civilëve të haset me pasoja konkrete kundër Moskës, me sanksione dhe presion të vërtetë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Forcat Ajrore Polake ngritën në ajër avionë luftarakë vendas dhe të aleatëve të NATO-s si masë parandaluese pas sulmit rus në disa rajone të Ukrainës. Aeroportet rajonale në Radom dhe Lublin u mbyllën përkohësisht për të lejuar forcat e armatosura të operonin lirshëm, njoftoi Agjencia Polake e Navigimit Ajror.

Sakaq, Një instruktor ushtarak britanik është ndaluar nga autoritetet e Kievit me akuzën e spiunazhit për Rusinë në Ukrainë dhe përgatitjes së sulmeve terroriste. Raporton The Independent online, duke cituar zyrën e prokurorit ukrainas. Ai akuzohet se në këmbim të parave, shpërndante informacione konfidenciale tek shërbimet sekrete të Moskës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos