
Qindra palestinezë kanë protestuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar kundër miratimit të një ligji izraelit që lejon përdorimin e dënimit me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse.
Demonstratat u zhvilluan të martën në disa qytete, përfshirë Ramallah, Tubas, Nablus dhe Jenin në veri, si dhe Hebron në jug, pas thirrjeve të grupeve për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se organizatat për mbrojtjen e të burgosurve dhe fraksionet kombëtare organizuan një protestë në oborrin e selisë së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në el-Bireh.
Pjesëmarrësit mbanin fotografi të dhjetëra të burgosurve që kanë vdekur në paraburgim ndër vite. Protesta mblodhi një pjesëmarrje të gjerë, përfshirë familjarë të të burgosurve, anëtarë të lartë të partisë Fatah, organizata të shoqërisë civile, sindikata dhe grupe të grave.
Më shumë se 9,500 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, përfshirë 350 fëmijë dhe 73 gra. Organizatat palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut thonë se të ndaluarit përballen me tortura, uri dhe mungesë kujdesi mjekësor, çka ka çuar në dhjetëra vdekje.
Parlamenti izraelit, Knesset, e miratoi ligjin për dënimin me vdekje të hënën në mbrëmje me 62 vota pro dhe 48 kundër. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu votoi në mbështetje të ligjit.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe zyrtarët palestinezë e kanë dënuar miratimin e këtij ligji, duke argumentuar se ai shkel të drejtën ndërkombëtare dhe është thellësisht diskriminues, pasi nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të dënuarit izraelitë.
Amnesty International i bëri thirrje autoriteteve izraelite ta shfuqizojnë ligjin, duke e cilësuar atë si “një shfaqje publike e mizorisë, diskriminimit dhe përçmimit të plotë për të drejtat e njeriut”. Erika Guevara-Rosas, drejtoreshë e lartë për kërkimin dhe avokimin në këtë organizatë, deklaroi se për vite me radhë është vërejtur një model shqetësues i vrasjeve të paligjshme të palestinezëve pa ndëshkim.
Një zëdhënës i Bashkimit Europian e cilësoi miratimin e ligjit si “shumë shqetësues”, duke i bërë thirrje Izraelit të respektojë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare dhe parimet demokratike.
Gjermania deklaroi se nuk mund ta mbështesë ligjin e ri, duke theksuar se kundërshtimi i dënimit me vdekje është një parim themelor i politikës së saj. Zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, paralajmëroi gjithashtu se ligji ka gjasa të zbatohet vetëm ndaj palestinezëve në territoret palestineze.
Sipas ligjit, ekzekutimet do të kryhen me varje nga roje burgu të emëruar nga Shërbimi i Burgjeve të Izraelit, ndërsa personat e përfshirë do të gëzojnë anonimitet dhe imunitet ligjor.
Legjislacioni parashikon gjithashtu transferimin e të dënuarve me vdekje në ambiente të posaçme paraburgimi dhe kufizimin e vizitave vetëm për persona të autorizuar. Takimet me avokatët do të kufizohen në komunikime me video.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, Izraeli ka ashpërsuar masat ndaj të burgosurve palestinezë. Konflikti ka shkaktuar mbi 72,000 të vrarë dhe 172,000 të plagosur palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. (A2 Televizion)