Raketa e dronë për Pashkë, Zelenski shpallet në kërkim: Rrëzuam bombarduesin rus

Nga Rosalba Bejdo
5 Maj 2024, 12:32 | Bota

Me një breshëri raketash kundër rajoneve të Harkiv, Dnipros dhe qytetit port të Odesës, Rusia ja uroi Pashkët Ukrainës fqinje, ku shkaktoi 2 viktima civile, i vuri zjarrin një fabrike ushqimore, dëmtoi infrastrukturë, banesa e godina tregtare.

Presidenti Volodimir Zelenski tha se Moska kishte përdorur 8 raketa të llojeve të ndryshme, gati 70 bomba të komanduara kundër komuniteteve dhe pozicioneve në front, pasi Ukraina kishte rrëzuar 13 dronë Shahed qe shënjestruan Kievin dhe Dnipron gjatë natës.

Zelenski theksoi se Moska nuk dëshironte paqe.

“Luftëtarët tanë rrëzuan 13 dronë Shahed. Gjatë ditës terroristët rusë përdorën 8 raketa të llojeve të ndryshme dhe 70 bomba të komanduara kundër nesh. Nuk duhet të harrojmë se vetëm me forcë do të bëjmë Rusinë të na lerë të qetë”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri gjithashtu të ditur se forcat e Kievit kishin rrëzuar një bombardues rus S-25 mbi rajonin lindor të Donjetsk.

Sakaq, Moska e ka shpallur Zelenskin person në kërkim duke hapur një çështje penale kundër tij. Ukraina e komentoi këtë si një lëvizje të dëshpëruar të makinerisë ruse të propagandës, ndërsa kujtoi se ndaj vetë presidentit Vladimir Putin kishte një urdhër arrest nga gjykata penale ndërkombëtare.

Moska ka lëshuar urdhër arreste për një numër ukrainasish dhe politikanësh të tjerë që prej fillimit të luftës në Ukrainë ne shkurt të 2022.

Policia në Moskë e vendosi kryeministren estoneze Kaja Kallas, ministrin e kulturës në Lituani dhe pjesëtarë të parlamentit letonez në listën e personave të kërkuar, siç tha, për shkatërrim të monumenteve të epokës sovjetike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos