Raporti i CSIS: Rusia ka humbur deri në 450 mijë ushtarë në Ukrainë, por lufta vijon pa shenja ndalese

Nga A2 CNN
3 Korrik 2026, 22:31 | Bota

Raporti i CSIS: Rusia ka humbur deri në 450 mijë ushtarë në

Lufta në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa një raport i ri i Center for Strategic and International Studies (CSIS) vlerëson se Rusia ka humbur deri në 450 mijë ushtarë të vrarë që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022. Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, Moska nuk ka dhënë sinjale për uljen e intensitetit të operacioneve ushtarake.

Zhvillimi vjen pas një tjetër nate të rëndë bombardimesh në Ukrainë, ku sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 30 persona humbën jetën nga sulmet ruse. Moska lëshoi 74 raketa dhe 496 dronë, duke goditur edhe kryeqytetin Kiev dhe duke dëmtuar të paktën 130 ndërtesa.

Autoritetet ruse deklaruan se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj goditjeve të Ukrainës mbi infrastrukturën energjetike dhe rafineritë në territorin rus. Ndërkohë, Kievi ka shtuar sulmet ndaj objektivave strategjike brenda Rusisë, me synimin për të dobësuar kapacitetet e saj ushtarake dhe ekonomike, shkruan A2CNN. 

Sipas raportit të CSIS, Ukraina ka humbur mes 125 mijë dhe 150 mijë ushtarë të vrarë, ndërsa humbjet ruse llogariten mes 400 mijë dhe 450 mijë ushtarëve. Në total, numri i të vrarëve, të plagosurve dhe të zhdukurve nga të dyja palët vlerësohet të ketë kaluar 2 milionë persona, ku rreth 1.4 milionë i përkasin Rusisë.

Në aspektin civil, Kombet e Bashkuara raportojnë se që nga fillimi i luftës janë vrarë mbi 16 mijë civilë në Ukrainë dhe janë plagosur më shumë se 46.500 të tjerë.

Raporti thekson se ofensiva tokësore ruse ka shënuar përparime minimale dhe në disa sektorë të frontit forcat ruse kanë humbur më shumë territor sesa kanë fituar. Sipas ekspertëve, ritmi i avancimit është ndër më të ngadalshmit në konfliktet moderne, duke reflektuar vështirësi të mëdha ushtarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos