Raportohet për 40 të vrarë nga një sulm izraelit në Gazë

Nga A2 CNN
28 Prill 2025, 19:01 | Bota

Raportohet për 40 të vrarë nga një sulm izraelit në

Agjencia e mbrojtjes civile në Gazë tha se sulmet izraelite të hënën vranë të paktën 40 persona në të gjithë territorin palestinez, ku është ndaluar hyrja e ndihmave për më shumë se 50 ditë.

Izraeli rifilloi fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 18 mars. Një marrëveshje armëpushimi që kishte ndalur në masë të madhe luftimet për dy muaj u prish shkaku i mosmarrëveshjeve midis Izraelit dhe grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, sulmi i të cilit nxiti luftën në vitin 2023.

Zyrtari i mbrojtjes civile, Mohammed al-Mughayyir, i tha AFP-së se 40 persona ishin vrarë që nga agimi i së hënës.

Mes tyre ishin tetë persona që u vranë në një sulm izraelit mbi shtëpinë e familjes Abu Mahadi në Jabalia, në veri të territorit.

“Ata po flinin në shtëpitë e tyre, duke u ndjerë të sigurt, kur raketat goditën... kjo skenë të bën të dridhesh”, tha Abdul Majeed Abu Mahadi, 67 vjeç, i cili shtoi se vëllai i tij u vra në sulm.

“Nëse një person do ta shikonte këtë skenë, do të shihte fëmijë, gra dhe burra të moshuar të copëtuar, të dhemb zemra, por çfarë mund të bëjmë?”, shtoi ai.

Agjencia e mbrojtjes civile raportoi se dhjetë persona të tjerë u vranë në një sulm izraelit mbi shtëpinë e familjes Al-Ghamari në zonën Al-Sudaniya, në veriperëndim të qytetit të Gazës.

Një sulm mbi shtëpinë e familjes Al-Agha vrau tetë persona të tjerë në një zonë të Khan Yunisit në jug, shtoi ajo.

Katërmbëdhjetë të tjerë u vranë në katër sulme të veçanta në të gjithë territorin, tha mbrojtja civile, përfshirë një që goditi një tendë ku strehoheshin të zhvendosurit në kampin Al-Shafii, në perëndim të Khan Yunisit.

Lidhur me këto sulme nuk ka pasur ende asnjë koment nga ushtria izraelite.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha të hënën se të paktën 2.222 persona janë vrarë që kur Izraeli rifilloi sulmet, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve që nga shpërthimi i luftës në 52.314.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 solli vdekjen e 1.218 personave në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një bilanci të AFP-së bazuar në shifra zyrtare.

Militantët gjithashtu rrëmbyen 251 persona, 58 prej të cilëve ende mbahen në Gazë, përfshirë 34 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur.

Izraeli thotë se fushata e tij e re ushtarake synon ta detyrojë Hamasin të lirojë pengjet e mbetura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos