Dëgjoni britmën e popujve për liri dhe refuzoni ‘’tmerrin e luftës’’. Ishte ky mesazhi që përcolli Papa Leoni i 14 në mbyllje të vizitës së tij në Liban. Në një meshë të mbajtur për rreth 150 mijë persona në Beirut, kreu i Kishës Katolike porositi Libanin të punojë për të ndalur konfliktin disavjeçar krizat politike dhe mjerimin ekonomik.
Ai tha se i gjithë rajoni kishte nevojë për qasje të reja për të tejkaluar ndasitë.
"Lindja e Mesme ka nevojë për qasje të reja për të hedhur poshtë mentalitetin e hakmarrjes dhe dhunës, për të kapërcyer përçarjet politike, sociale dhe fetare dhe për të hapur kapituj të rinj në emër të pajtimit dhe paqes. Rruga e armiqësisë dhe shkatërrimit të ndërsjellë në tmerrin e luftës është përshkuar për shumë gjatë, me rezultatet e mjerueshme që janë para syve të të gjithëve. Ne duhet të ndryshojmë kurs. Ne duhet të edukojmë zemrat tona për paqe".
Leoni i 14 qëndroi tre ditë në Liban, në pjesën e dytë të një udhëtimi që nisi në Turqi. Papa, një person relativisht i panjohur në skenën botërore parazgjedhjes së tij në krye të selisë së shenjtë në maj, u ndoq me vëmendje ndërsa mbajti fjalimet e tij të para jashtë shtetit dhe ndërveproi për herë të parë me njerëz përtej Italisë kryesisht katolike.
Në Liban, ai u bëri thirrje krerëve të sekteve fetare të bashkohen për të shëruar vendin dhe u bëri presion udhëheqësve politikë të vazhdojnë me përpjekjet për paqe pas luftës shkatërruese të vitit të kaluar midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, dhe sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Në komentet në aeroportin e Bejrutit, pak çaste para se të nisej për në Romë, Leoni ju referua për here të parë sulmeve izraelite, duke thënë se nuk kishte qenë në gjendje të vizitonte jugun e Libanit sepse "aktualisht po përjeton një gjendje konflikti dhe pasigurie". (A2 Televizion)