Rendi global i Trump dhe lufta botërore për paqe

Nga Xhevahir Qardaku
29 Dhjetor 2024, 19:55 | Bota

Rendi global i Trump dhe lufta botërore për paqe

Donald Trump kthehet sërish në shtëpinë më të pushtetshme të botës dhe bashkë me të, edhe slogani “Amerika e para!”. Shumë vetulla janë ngrysur pas fitores së tij, veçanërisht në Europë, që është kthyer me vitet në aleatin më të madh të Shteteve të Bashkuara. Ashtu si në mandatin e kaluar, Kina dhe Irani pritet të jenë rivalët kryesorë të Amerikës së re të epokës Trump.

Por nuk përjashtohet që listës së armiqve ekonomikë t’i bashkohet edhe ndonjë shtet tjetër. Që para betimit si presidenti, kërcënoi Meksikën dhe Kanadanë me tarifa të rënda nëse nuk bëjnë diçka për të frenuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe trafikun e drogës në kufirin verior apo jugor.

Trump prezantoi para botës edhe aspiratat e tij territoriale duke ia vënë syrin Kanalit të Panamasë, Groenlandës së Danimarkës madje edhe shtetit të Kanadasë. Ka folur dhe për paqe në kohë lufte, por shumë pak për mënyrën se si do të qeverisë brenda Amerikës, ndërsa emrat që ka zgjedhur për administratën e tij kanë qenë bazë e shumë polemikave. Por si do të duket rendi botëror në duart e Donald Trump?

Nuk është hera e parë për Donald Trump që shpreh dëshirën për ta bërë Amerikën të Madhe, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë territorial. Mandatin e kaluar u interesua seriozisht në blerjen e ishullit të Groenlandës nga Danimarka, pavarësisht se përpjekjet u ndaluan shpejt me qëndrimin e qartë se nuk është për tu shitur.

Sytë e tij janë fiskuar tani në pikën strategjike ekonomike të Kanalit të Panamasë, siç thotë për shkak të grabitjes me tarifa të larta dhe kërcënimit të ndikimit kinez. Autoritetet në Panama konfirmuan se do të mbrojnë sovranitetin territorial dhe pavarësinë, një daulle kjo që sinjalizon një betejë në horizont. Propozimi më i çmendur ndonjëherë, të paktën sipas ekspertëve, është aneksimi i Kanadasë për ta bërë atë shtetin e 51 të Amerikës. Oreksi i Trump për territor dukshëm ka ardhur duke u zgjeruar, por a mund të presim që në këtë listë të shtojë edhe ndonjë shtet tjetër dhe si do të përfundojnë këto aventura? 

Premtoi paqen që në ditën e parë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale amerikane, por Donald Trump riktheu luftën… jo atë me armë por atë ekonomike. Ai kërcënoi Kinën, Kanadanë dhe Meksikën me tarifa shkatërruese në shkëmbimin e mallrave. Si kusht për t’u tërhequr nga kjo qasje vendosi shtimin e përpjekjeve nga këto shtete për të reduktuar trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara dhe “pushtimin” nga emigrantët, siç e quan Trump.

Në horizont shfaqet një marrëdhënie e qetë me vendet e Bashkimit Europian apo ato anëtare në NATO, megjithatë mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë tregoi se shpeshherë mund të jetë i paparashikueshëm. Deri më tani Irani është shënjestruar si armiku kryesor në shahun gjeopolitik të rendit botëror të Donald Trump. Kërkon të afrohet sërish me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidentin rus Vladimir Putin. Por ajo që ende nuk kemi deshifruar është se ku qëndron Ballkani Perëndimor në sytë apo mendjen e Donald Trump?

Trump e gjen botën me dy luftra të rrezikshme: atë në Ukrainë të nisur nga Rusia dhe konfliktin në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Që para betimit, republikani ka kërkuar kontakte me presidentin rus Vladimir Putin, me shqetësimin e thellë se situata mes Moskës dhe Kievit po degradon dhe prandaj duhet biseduar për paqe në mënyrë që butoni i kuq i bombave bërthamore të qëndrojë i paprekur.

Ukraina nuk e pëlqen planin e paqes të Donald Trump, duke bërë lëshimin e territoreve të aneksuara nga Rusia vetëm në këmbim të pranimit të menjëhershëm në NATO. Për Izraelin ka shprehur mbështetje edhe më të madhe se administrata Biden, duke kërkuar shfarosjen e Hamasit dhe luftimin e ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme. Trump do të përballet edhe me një risi në Siri, ku forcat rebele rrëzuan Bashar al-Assadin nga pushteti. Ai vazhdimisht ka premtuar rikthimin e paqes në botën e trazuar nga raketat dhe vrasjet e njerëzve të pafajshëm, por a do t’ia dalë kësaj here?

Rikthimi i Trump në majë të botës mund të shoqërohet me një përpjekje për të rishkruar rregullat e rendit ndërkombëtar. Me një qasje të ashpër ndaj aleancave tradicionale, ai mund të tentojë të rinegociojë marrëveshjet ndërkombëtare në favor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke krijuar tensione të reja.

Fuqitë e tjera, si Kina dhe Rusia, do të përpiqen të mbushin vakumin e lënë nga tërheqja e SHBA-ve nga roli tradicional i tyre si udhëheqës global për të imponuar ndoshta aspiratën e tyre për një pol të dytë të rendit botëror.

Duke marrë shkas nga kjo, ekspertët parashikojnë një epokë të re pasigurie globale. Lufta ekonomike me tarifa, ambiciet territoriale dhe riformësimi i rendit global do të jenë elementët kryesorë të agjendës së tij, duke shtuar presion mbi vendet e tjera për të përshtatur strategjitë e tyre në këtë botë të re të polarizuar dhe të tensionuar.

Ekziston gjithashtu një frikë se ai mund të shpejtojë përplasje të mëdha globale, sidomos në frontet ku SHBA-ja ka interesa strategjike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos