Pas një pauze prej më shumë se 30 vitesh, testet bërthamore diskutohen sërish në Uashington dhe Moskë. Donald Trump ka njoftuar se SHBA do të rinisë testimet pas pretendimeve se Moska ka testuar me sukses dy raketa me kapacitet bërthamor, Burevestnik dhe Poseidon.
Putin u përgjigj menjëherë duke theksuar se Rusia do të udhëzonte forcat e armatosura të “studionin mundësinë e nisjes së përgatitjeve” për testime bërthamore, shkruan A2.
Më vonë, edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara rinisin testet bërthamore, “Rusia do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë”: “Putin e ka shpjeguar pozicionin tonë që në vitin 2023. Ai ka thënë qartë se nëse ndonjë fuqi bërthamore kryen një test të armëve bërthamore, jo një test të raketave mbajtëse, por një test të mirëfilltë bërthamor, atëherë Rusia do të përgjigjet po njësoj”.
Në fund të tetorit, kur edhe njoftoi vendimin, Trump pretendoi se vende si Rusia dhe Kina tashmë po kryejnë testime dhe se i kishte kërkuar Pentagonit të niste menjëherë testimet për të qenë “në kushte të barabarta” me to. Por, Rusia ka kryer testin e saj të fundit bërthamor në vitin 1990; Kina në 1996. SHBA-të nuk kanë kryer një shpërthim bërthamor që prej vitit 1992.
Që nga nënshkrimi i Traktatit të Ndërprerjes Gjithëpërfshirëse të Testeve Bërthamore në vitin 1996, vetëm India, Pakistani dhe Koreja e Veriut kanë kryer testime të tilla. Më herët këtë muaj, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, institucioni që mbikëqyr programin bërthamor të SHBA-së, garantoi se vendi nuk do të kryejë një shpërthim bërthamor.
Ai i tha Fox News se SHBA do të testojë komponentë të armëve bërthamore për të simuluar funksionimin e tyre dhe për të garantuar se sistemi është operacional. Nga ana e saj, Kina mohoi se po kryen testime dhe tha se shpreson që Uashingtoni do të respektojë moratoriumin e vendosur nga Traktati i Ndërprerjes Gjithëpërfshirëse të Testeve Bërthamore. (A2 Televizion)
