
Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi të shtunën homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, duke deklaruar se Ukraina duhet të zgjedhë një lider të ri, i cili mund të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Unë sugjeroj që të zgjedhin një lider të ri, që mund të bëjë një marrëveshje, sepse ai ka pasur shumë mundësi dhe, për disa arsye, nuk e bën kurrë këtë”, u shpreh Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Deklarata vjen pas përplasjes mes dy liderëve për një marrëveshje të re SHBA-Rusi për furnizimin e tregjeve amerikane me naftë dizel ruse. Zelensky e kritikoi marrëveshjen, duke e cilësuar si një “investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet”.
Sipas një zyrtari amerikan, Trump ishte i pakënaqur me sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse dhe Uashingtoni i kishte kërkuar vazhdimisht Kievit t’i ndalte ato.
Trump njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord të furnizonte menjëherë tregjet globale me mbi 300 mijë tonë naftë dizel, ndërsa 500 mijë tonë të tjera pritet të dërgohen në nëntor. Sipas tij, furnizime të tjera do të pasojnë, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.
Megjithatë, ish-zyrtarë amerikanë kanë vënë në dyshim nëse Rusia disponon sasitë e deklaruara, ndërsa sulmet ukrainase po ushtrojnë presion mbi furnizimet e saj me naftë.
I pyetur nëse marrëveshja mund të zgjasë luftën, Trump fajësoi Zelenskyn, duke pretenduar se ai ka refuzuar disa herë mundësinë për t’i dhënë fund konfliktit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas e cilësoi vendimin e Uashingtonit si “një vendim të dobët nga partnerë të fortë”. Analistët vlerësojnë se marrëveshja nuk ka gjasa të sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të naftës dizel. (A2 Televizion)