
Teuta vijon ecurinë pozitive në kampionat, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi dhe duke ruajtur kreun e renditjes. Skuadra durrsake triumfoi me rezultatin 2-0 përballë Skënderbeut, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”.
Të besuarit e trajnerit Edlir Tetova zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë të takimit. Sherif Kallaku zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të, ndërsa Pedro Martelo dyfishoi shifrat në minutën e 33-të, duke vulosur fitoren e vendasve.
Me këtë sukses, Teuta konfirmon momentin e mirë që po kalon, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e kampionatit. Pesë fitore radhazi dhe vendi i parë në renditje për skuadrën e drejtuar nga Edlir Tetova, e cila vijon të tregojë qëndrueshmëri në rezultate. (A2 Televizion)