
Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka arrestuar në Asti të Italisë një 37-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas policisë, Aldo (Aleksander) Baho, i lindur në Elbasan, dyshohet se është pjesëtar i një grupi kriminal dhe se në vitin 2022 ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., e cila mbeti në tentativë.
Më 29 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra që lidhen me armët dhe aktivitetin kriminal të organizuar.
Kapja e tij u realizua falë bashkëpunimit mes specialistëve të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të Guardia di Finanza-s në Pisa.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Shqipërisë.
A2 CNN raporton se Aleksandër Baho, është një emër i njohur për policinë, është konsideruar si krahu i djathtë i Endrit Alibej, i njohur si Tarzani, i ekzekutuar bashkë me xhaxhain dhe një shtetas turk, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit në dhjetor të 2018.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Ëanted”, në bashkëpunim me homologët italianë.
Kapet në Itali, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, pjesëtar i një grupi kriminal, i dyshuar për ndërmjetësim për një vrasje të mbetur në tentativë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, dhe shërbimeve të GdF-së në Pisa, Itali, u kap në Asti, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A.(A.) B., 37 vjeç, lindur në Elbasan.
Më datë 29.09.2026, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2022, shtetasi A.(A.) B. dyshohet se në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., krim i cili mbeti në tentativë.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri. (A2 Televizion)