Kryeministri i Haitit, Garry Conille është shkarkuar nga këshilli qeverisës i vendit më pak se gjashtë muaj pasi ai mori detyrën.
Sipas mediave të huaja, një urdhër ekzekutiv, i nënshkruar nga tetë nga nëntë anëtarët e këshillit, emëroi biznesmenin dhe ish-kandidatin e Senatit të Haitit, Alix Didier Fils-Aime si zëvendësues të Conille.
Conille, një ish-zyrtar i Kombeve të Bashkuara, u soll për të udhëhequr Haitin përmes një krize sigurie të vazhdueshme, të udhëhequr nga bandat dhe pritej të ndihmonte në hapjen e rrugës për zgjedhjet e para presidenciale të vendit që nga viti 2016.
Ai e përshkroi rrëzimin e tij si të paligjshëm, duke thënë në një letër - të parë nga agjencia e lajmeve Reuters - se vendimi ngriti "shqetësime serioze" për të ardhmen e Haitit.
Haiti aktualisht nuk ka as President e as Parlament dhe sipas kushtetutës së tij, vetëm ky i fundit mund të shkarkojë një kryeministër në detyrë.
Kujtojmë se Conille u betua si kryeministër më 3 qershor, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)