
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, pa pasur nevojë për një ndërhyrje me trupa tokësore.
Sipas tij, operacionet ushtarake janë duke ecur sipas planit dhe mund të përfundojnë brenda pak javësh. Objektivat kryesore përfshijnë programin e raketave dhe dronëve të Iranit, si dhe kapacitetet e tij detare dhe ajrore.
Rubio theksoi se prania e shtuar e trupave amerikane në rajon nuk nënkupton një pushtim, por ka për qëllim të garantojë fleksibilitet operacional për skenarë të ndryshëm.
Ai u ndal edhe te rëndësia e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale, duke kërkuar angazhim më të gjerë ndërkombëtar për mbrojtjen e saj.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ku përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vijojnë. (A2 Televizion)