Finlanda, vendi që ka në kufi gjigandin rus, është në gatishmëri ushtarake. Që kur pushtimi i Ukrainës e shtyu Helsinkin të bashkohej me NATO-n dy vjet më parë, tensionet që të kujtojnë Luftën e Ftohtë janë rishfaqur përgjatë kufirit të pyllëzuar prej 1 340 km, më i gjati i Evropës me Rusinë.
Kombi nordik, bën me dije Reuters, se po forcon forcat rezerviste tashmë të konsiderueshme dhe do të presë një komandë të re për NATO-n, anëtarët e së cilës takohen në Hagë më 24 qershor për një samit vjetor, shkruan A2.
Ende në ndërtim e sipër, një gardh imponues me tela me gjemba në majë dominon një pjesë dikur të zhurmshme të kufirit, të mbyllur nga Finlanda pasi akuzoi Rusinë se po e përdorte migracionin si armë.
Nga ana tjetër, Rusia ka filluar ngadalë të pastrojë bazat ushtarake të epokës sovjetike, tregojnë imazhet satelitore. Sulmi i Kievit më 1 qershor ndaj flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, përfshirë edhe në aeroportin Olenya pranë Finlandës veriore, e solli luftën në Ukrainë më afër vendit.
Disa biznese nuk janë të kënaqura me ndryshimet. Qendrat tregtare dhe restorantet që dikur ishin plot me vizitorë rusë janë dukshëm më të zbrazëta. Deri në 13 milionë udhëtime vjetore ndërkufitare kanë përfunduar, duke prekur personat me shtetësi të dyfishtë që kanë familje në Rusi.
Zhdukja e turistëve rusë dhe mungesa e tregtisë kanë zbarzuar të paktën 300 milionë euro në vit nga një ekonomi lokale prej 5.5 miliardë eurosh, tha këshilli i rajonit. Papunësia u rrit në gati 15% në fund të vitit të kaluar, më e lartë se mesatarja kombëtare.
Shpresat për një ulje të shpejtë të tensioneve po pakësohen. Helsinki beson se Rusia do të përforcojë rajonin ushtarak fqinj të Leningradit sapo të përfundojë lufta në Ukrainë, ka thënë presidenti Stubb, megjithëse ai minimizon çdo kërcënim nga Rusia deri më tani. Pas kufirit, imazhet satelitore tregojnë se Rusia ka filluar disa punime në garnizone, duke përfshirë ndërtimin e depove të reja.
Një zyrtar i lartë qeveritar, i vetëdijshëm për planifikimin ushtarak të Finlandës, e përshkroi një punë të tillë si të vogël dhe jo një kërcënim. Finlanda ka kohë që ka një ushtri të fortë. Ajo ka porositur 64 avionë F-35 të prodhuar në SHBA për të modernizuar flotën e saj të avionëve luftarakë. Ajo ka arsenalin më të madh të artilerisë në Evropën Perëndimore, tha një zyrtar tjetër. (A2 Televizion)