Eksperti i sigurisë Xhavit Shala, në studion e “Ditarit” me Andi Nurajn, në A2 CNN, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ushtruan presion ndaj Iranit që ta detyronte këtë shtet që të bënte një marrëveshje.
“Regjimin është vështirë për ta ndryshuar. Regjimi nuk ndryshohet me bombardime nga ajri. Regjimi ndryshon nëse shkel këmba e ushtarit në tokën e shtetit tjetër. Kjo gjë në Iran nuk do të ndodhte kurrë. Sepse të dyja shtetet (SHBA dhe Izrael) nuk janë në kufi me Iranin. Fraza e rrëzimit të regjimit ishte pjesë e negocimit të Trumpit. Amerika foli për rrëzim regjimi që ta tensiononte më tepër situatën dhe për t’i detyruar që të bënin marrëveshje”, tha Shala.
“U bë presion që pas bombardimit, Irani të mos kishte reagim të ashpër. Dhe në fakt, kështu ndodhi. Reagimi iranian nuk ishte i fortë. Pra, konflikti SHBA-Iran është një konflikt i kontrolluar”, shtoi eksperti i sigurisë. (A2 Televizion)