
Rusia është “e gatshme në parim” të rifillojë bisedimet me SHBA-në dhe Ukrainën për t’i dhënë fund konfliktit, ka deklaruar një nga këshilltarët kryesorë të Vladimir Putinit.
Yuriy Ushakov foli pas takimit të Putinit me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, në qytetin rus të Shën Petersburgut.
Kievi po i bën presion Moskës për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve trepalëshe, të cilat u pezulluan në shkurt. Ushakov tha se një raund i ri bisedimesh mund të zhvillohet muajin e ardhshëm.
Witkoff udhëtoi drejt Moskës pasi të hënën u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe me udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës. Ushakov tha se idetë e tyre nuk ishin shumë “të dobishme”.
Zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh me synimin për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, kur Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Megjithatë, bisedimet u pezulluan, ndërsa Kremlini fajësoi për ndërprerjen e tyre sulmet “masive” ukrainase ndaj Rusisë muajin e kaluar.
Duke folur për gazetarët pas bisedimeve në Shën Petersburg, Ushakov la të kuptohet se raundi i ri mund të zhvillohet rreth datës 10 nëntor.
Ai theksoi se bisedimet duhet të përqendrohen te “ndërtimi i një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit”.
(A2 Televizion)