
Të paktën 20 persona humbën jetën dhe rreth 90 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa që Rusia ndërmori gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e cilësoi këtë si sulmin më të madh ndaj qytetit që nga fillimi i luftës, duke theksuar se, megjithëse sulme të mëparshme kanë shkaktuar më shumë viktima, kjo ishte breshëria më e madhe për nga numri i armëve të përdorura dhe shtrirja e zonave të goditura.
Mes objekteve të dëmtuara ishte edhe një stacion ambulance, ndërsa një pjesë e një pallati shumëkatësh në juglindje të Kievit u shemb si pasojë e shpërthimeve. Sulmet prekën disa lagje të qytetit, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët nga zonat më të rrezikuara. Autoritetet kanë shpallur të premten ditë zie në kryeqytetin ukrainas.
Pak orë para sulmit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se Rusia po përgatiste një ofensivë të re ajrore.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Kievit për të arritur objektivat e saj ushtarake.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë për shënjestrim të qëllimshëm të zonave civile. Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, bëri të ditur se mes viktimave ka edhe fëmijë, duke e cilësuar sulmin si një tjetër goditje të drejtpërdrejtë ndaj popullsisë civile.
Përshkallëzimi i sulmeve ajrore vijon të rëndojë situatën e sigurisë në Ukrainë, ndërsa civilët mbeten më të ekspozuarit ndaj pasojave të konfliktit. (A2 Televizion)