Rusia po i dërgon të gjithë në frontin e luftës me Ukrainën. Madje edhe emigrantët e natyralizuar së fundmi. Këtë e kanë konfirmuar vetë zyrtarët në Moskë që saktësojnë se rreth 10 mijë emigrantë që kanë marrë shtetësinë ruse janë dërguar për të luftuar në Ukrainë, si pasojë e intensifikimit të përpjekjeve për regjistrime të reja në shërbimin ushtarak.
Përveç trupave, Rusia ka lëshuar në Ukrainë një sulm masiv gjatë orëve të fundit. Ushtarët e Putinit u përpoqën të shënjestronin rajone të ndryshme me të paktën 23 dronë dhe 6 raketa, mes tyre Kinzhal dhe Kalibr. Por shumica e tyre janë shkatërruar nga mbrojtja e Kievit.
Megjithatë janë dëgjuar disa shpërthime në afërsi të kryeqytetit. Autoritetet nuk kanë raportuar për të lënduar apo dëme materiale. Përshkallëzimi i luftimeve vjen në një kohë kur Kremlini njoftoi se Rusia po mendon të shkëpusë edhe më tej marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Justifikimi që përdori zëdhënësi Dimitri Peskov ishte se Amerika dhe aleatët e saj po përfshihen edhe më shumë në luftën në Ukrainë duke bërë praktika jomiqësore.
Sakaq, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania janë vënë në lëvizje duke i kërkuar Bashkimit Europian që të ndërtojë një linjë mbrojtjeje përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë si mbrojtje nga kërcënimet ushtarake dhe veprimet e dëmshme të Putinit.
“Kjo është diçka urgjente në mënyrë që BE të mbrohet nga kërcënimet ushtarake dhe hibride”, lexohet në një letër drejtuar Brukselit. Kjo ide është mirëpritur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Nga ana ruse reagoi lideri i Çeçenisë, Ramazan Kadyrov, duke komentuar me ironi një raportim të mediave se Estonia është gati të shqyrtojë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë. “Do të udhëzoj komandantin e forcave speciale të dërgojë dy ushtarë të plagosur drejt forcave estoneze”, tha Kadyrov duke vazhduar ironinë e tij me pretendimin se kundërshtarët kanë vetëm një gomone dhe gjashtë mitralozë. (A2 Televizion)