Rusia lëshon raketë balistike në Ukrainë, dhjetëra viktima

Nga Rosalba Bejdo
13 Prill 2025, 14:14 | Bota

Të paktën 21 persona u vranë dhe 83 të tjerë u plagosën pasi Rusia lëshoi një raketë balistike në zemër të qytetit ukrainas të Sumit, mëngjesin e së dielës.

Siç pohon ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, mes të palgosurve ka edhe 7 fëmijë, ndërsa bilanci pritet të rritet, shkruan A2.

Ai tha se viktimat ishin njerëz në mes të rrugës, nëpër automjete, shtëpi e transport publik.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dënoi sulmin, një prej më vdekjeprurësve në Ukrainë gjatë këtij viti.

“Vetëm maskarenjtë mund të sillen kështu. T’i marrin jetën njerëzve të thjeshtë në ditën kur ata shkojnë në Kishë. Në të dielën e Dafinave, festa e hyrjes së Zotit në Jeruzalem”, shkroi Zelenski në rrjetet sociale, ku postoi edhe një video tronditëse që shfaqte kufomat nëpër rrugë. Presidenti ukrainas i bëri thirrje SHBA dhe Europës të reagojnë ashpër ndaj atij që e quajti akt terrorizmi.

Sipas Zelenskit, pa presion ndaj agresorit paqja është e pamundur: “Bisedimet nuk i ndalin kurrë raketat balistike dhe bombardimet ajrore”.

Një zyrtar i sigurisë në Kiev vërejti se sulmi erdhi pas një vizite në Moskë të të dërguarit amerikan Steve Witkoff. Witkof zhvilloi bisedime me Presidentin rus Putin të premten në Shën Petersburg, në kërkim të një marrëveshje paqeje, teksa Trump i tha Rusisë “të lëvizte”.

Sulmi i së dielës pason një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë më herët gjatë fundjavës se Ukraina kishte ndërmarrë 5 sulme ndaj infrastrukturës energjetike, çka sipas saj, përbënte shkelje të moratoriumit të ndërmjetësuar nga Trump.

Rusia dhe Ukraina pranuan të ndalnin sulmet ndaj strukturave energjetike të secilit vend muajin e kaluar, por vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të ujdisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos