Rusia paralajmëroi këtë javë se po analizon me kujdes mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i furnizojnë Ukrainës raketat kruiz Tomahawk, armë me rreze të gjatë veprimi, të afta të godasin objektiva në thellësi të territorit rus, përfshirë edhe Moskën.
Për Kremlinin, vetëm ideja se Kievi mund të ketë këtë kapacitet është alarmuese dhe mund të nxisë një përshkallëzim dramatik të konfliktit. Raketa Tomahawk, me një gjatësi prej 6.1 metrash dhe peshë rreth 1510 kilogramë, mund të niset nga deti ose toka dhe synon objektiva me precizion të lartë, shkruan A2.
Aftësia e saj për të goditur me saktësi qindra kilometra larg e bën një mjet të jashtëzakonshëm strategjik. Reagimi vjen pas deklaratës së Zv/Presidentit amerikan JD Vance, i cili konfirmoi se administrata në Uashington po shqyrton kërkesën e Ukrainës për të siguruar Tomahawk.
Presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Megjithatë, fakti që ai po e konsideron këtë mundësi tregon nivelin e zhgënjimit të tij ndaj Presidentit Vladimir Putin, i cili refuzon çdo armëpushim, edhe pas samitit të fundit në Alaskë.
Damian Murphy, nënkryetar i Qendrës për Progresin Amerikan, shprehet: “Pjesën më të madhe të presidencës së tij, Presidenti Trump anonte nga Rusia, apo jo? Nëse shihni trajtimin që i rezervoi Presidentit Putin gjatë Samitit në Alaska: tapeti i kuq, mikpritja e jashtëzakonshme, dukej sikur ai favorizonte Rusinë. Por, duket se që nga ai samit, Presidenti Trump është bërë gjithnjë e më i frustruar me mënyrën se si Putini ka vepruar në këto javë të fundit. Gjatë kësaj kohe, Rusia ka kryer sulme mbi Ukrainën që kanë prekur vetë kryeqytetin, duke shkaktuar rreth 100 viktima civile. Dhe mendoj se Presidenti Trump ka bërë të qartë se është i zhgënjyer nga Putini. Ndoshta ky tregues se ai është i gatshëm të sigurojë raketa Tomahawk tregon se zhgënjimi ka arritur kulmin dhe tani është gati të balancojë qasjen e SHBA ndaj konfliktit dhe të ofrojë këto armë për Ukrainën.”
Raketa kruiz Tomahawk ka rreze veprimi deri në 2500 km, mjaftueshëm për të goditur pjesë të mëdha të Rusisë nëse lëshohet nga Ukraina. Ajo fluturon në lartësi të ulët për të shmangur radarët dhe ka sistem drejtimi me GPS që garanton saktësi. Për Moskën, përdorimi i këtyre raketave nga Ukraina do të ishte një rrezik strategjik i lartë. Ukraina ka disa raketa me rreze të gjatë: Flamingo, zhvilluar nga kompania ukrainase Fire Point, me rreze mbi 1 000 milje. Neptune, raketë anti-anije, me rreze pak mbi 600 milje. Harpoon, i prodhuar nga Boeing, me rreze 75 milje detare. ATACMS, raketë balistike tokë–tokë e prodhuar nga Lockheed Martin, me rreze deri në 190 milje. Storm Shadow, raketa krose evropiane, me rreze 155 milje.
Në krahasim, Tomahawk i jep Ukrainës mundësi për të goditur në thellësi territorin rus, një kapacitet që aktualisht mungon. Vendimi për të furnizuar Ukrainën me Tomahawk mund të jetë një kthesë strategjike. Për Moskën, çdo vend që lejon përdorimin e raketave kundër Rusisë mund të bëhet objektiv i sulmeve. Kjo rrit tensionin dhe rrezikun për një përshkallëzim të drejtpërdrejtë.
Dalibor Rohac, studiues i lartë në Institutin American Enterprise, shprehet: “Mendoj se javën e kaluar, kur Presidenti Trump bëri këtë kthesë historike mbi Ukrainën, duke sugjeruar se Ukraina mund të fitojë këtë luftë dhe se Rusia është thjesht një tigër prej letre, kjo ishte një reflektim i dëshirës së Presidentit për të kaluar përgjegjësinë për rezultatin e luftës tek europianët, më shumë se një deklaratë që do të shënonte një epokë të re në politikën e SHBA ndaj Ukrainës. Nëse SHBA do të vendosë të sigurojë raketat Tomahawk, qoftë edhe të ndërmjetësuara dhe financuara nga europianët, kjo do të përbënte një zhvillim të ri dhe një ndryshim të madh politik. Nga ajo që dëgjuam nga Zv/Presidenti, duket se kjo është diçka që Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë. Dhe besoj se së shpejti do ta dimë vendimin. Presidenti, në të kaluarën, kur ka dashur të veprojë, ka vepruar shpejt. Kur ka dashur të shtyjë vendimin, ka ditur ta bëjë gjithashtu. Pra, së shpejti do ta dimë se cili nga dy skenarët do të ndodhë”.
Raketa Tomahawk jo vetëm që ndryshon ekuilibrin ushtarak, por edhe qasjen politike. Me këtë fuqi, Ukraina mund të dërgojë mesazhe të forta mbi gatishmërinë e saj për të mbrojtur territorin. Nga ana tjetër, çdo përdorim i mundshëm i raketave nga Ukraina mund të shndërrohet në një krizë ndërkombëtare, duke përfshirë NATO-n dhe vendet që do t’i transmetojnë ato raketa.
Dalibor Rohac shpjegon: “Kjo luftë duhet të përfundojë me një disfatë të Rusisë. Nëse Rusia fiton duke pushtuar Ukrainën, duke e copëtuar apo duke e kthyer në një shtet të dështuar, ky do të ishte një rezultat shumë i padëshirueshëm për sigurinë europiane. Po ashtu, kjo do të ftonte Putinin të testonte më tej vendosmërinë tonë, gjë që ai tashmë po e bën mbi territoret e disa shteteve anëtare të NATO-s, Poloni, Estoni, Rumani. Pra, ne jemi në një moment shumë të rrezikshëm. Dhe mund të dalim nga ky moment vetëm duke bindur rusët se kjo nuk është mënyra se si veprohet dhe si zgjidhen traumat”.
Damian Murphy, nënkryetar i Qendrës për Progresin Amerikan, thotë: “Duhet të përfundojë me një marrëveshje të negociuar. Administratës Trump duhet t’i njihet merita për përpjekjet drejt një marrëveshjeje të tillë. Por, mënyra se si arrijmë aty ka rëndësi. Dhe fakti që Ukraina nuk ka qenë pjesë e shumë diskutimeve, nuk ishin përfshirë në bisedimet e Alaskës, ka ngritur shumë shqetësime se administrata mund të pranojë qëndrimet e Putinit mbi aneksimin formal të më shumë territoreve brenda Ukrainës. Një nga kërkesat e Rusisë ka qenë që Ukraina të ndryshojë Kushtetutën në lidhje me integritetin territorial. Ka një listë shumë të gjatë kërkesash që ukrainasit vetë nuk mund t’i pranonin. Pra, është e vështirë të shihet tani ku takohen interesat e Rusisë me ato të Ukrainës”.
Vendimi i Trump mbi furnizimin e Ukrainës me raketat Tomahawk mbetet një pikë kyçe për të ardhmen e konfliktit. A do të shërbejë si paralajmërim për Moskën dhe forcim i qëndrueshmërisë ukrainase, apo do të hapë rrugën për një përshkallëzim të ri global? Pasojat mund të jenë të mëdha për sigurinë europiane, NATO-n dhe për ekuilibrin strategjik në rajon. (A2 Televizion)