Rusia sulmon dhe vret në Ukrainë, Zelensky do të shpallë zgjedhje dhe referendum më 24 shkurt

Nga Xhevahir Qardaku
11 Shkurt 2026, 11:02 | Bota

Rusia sulmon dhe vret në Ukrainë, Zelensky do të shpallë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky synon të njoftojë planet për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum mbi një marrëveshje paqeje me Rusinë më 24 shkurt, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus dhe fillimit të luftës. Kështu raporton Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe europianë.

Sipas gazetës, Ukraina filloi të planifikonte zgjedhjet presidenciale dhe një referendum pasi administrata Trump i bëri presion Kievit që të mbante të dyja zgjedhjet deri më 15 maj, ose rrezikonte të humbiste garancitë e sigurisë të ofruara nga Shtetet e Bashkuara, raporton A2 CNN.

Ky veprim, sipas zyrtarëve ukrainas dhe perëndimorë, si dhe personave të tjerë të njohur me çështjen, vjen mes presionit të fortë nga Shtëpia e Bardhë mbi Kievin për të përfunduar negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë në pranverë.

Zyra e presidentit ukrainas iu përgjigj raportimit të Financial Times duke mos hedhur poshtë informacionit, por duke vendosur kushte për zgjedhjet dhe referendumin.

“Për sa kohë që nuk ka siguri, nuk do të ketë njoftime (për zgjedhjet)”, deklaroi shkurt zyra, e cituar nga media RBC Ukraina. Kjo vjen në një kohë kur bisedimet për paqe vazhdojnë dhe ende nuk ka një rezultat konkret, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu vazhdojnë dhe sulmet masive nga ushtria e Rusisë në Ukrainë. Dronët dhe raketat e lëshuar kanë vrarë të paktën katër persona, përfshirë tre fëmijë të vegjël nga 1 deri ne 2 vjeç në rajonin verilindor të Kharkivit të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë. Një grua shtatzënë 35-vjeçare dhe një grua tjetër, 73 vjeç, u plagosën.

Sulmi ajror rus vjen ndërsa Moska rinovon bombardimet pas një pauze njëjavore që Donald Trump i kishte kërkuar Vladimir Putinit ta zbatonte, ndërsa një i ftohtë i egër përfshiu Ukrainën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos