Përpjekja për rebelim nga Grupi Wagner ishte një pikë kthese në marrëdhënien midis paraushtarakëve dhe qeverisë së Kremlinit. Pas ndërmjetësimit të Presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, ushtarët e Yevgeny Prigozhin ndaluan përparimin e tyre drejt Moskës.
Megjithëse gjërat u qetësuan, plaga nuk u mbyll. Prigozhin u cilësua si tradhtar nga Presidenti Vladimir Putin dhe vetëm disa javë pas tentativës për sulm ndaj Moskës, lideri i Wagnerit vdiq në një aksident ajror. Një aksident që shumëkush nuk ngurroi t'ia faturonte Kremlinit. Për pjesën tjetër të luftëtarëve të grupit paraushtarak, Putin ofroi disa alternativa: të ktheheshin në shtëpi dhe të linin armët ose të shërbenin në ushtrinë ruse.
“Wagner nuk ekziston më”, tha Putin në mes të korrikut. Tani, shumë prej anëtarëve të Wagner tashmë “në pension”, Kremlini po përpiqet t'i vërë në shërbim të tij. Por, jo më si pjesë e një grupi paraushtarak, por si njësi të ushtrisë së saj më të përzgjedhur, e cila varet drejtpërdrejt nga udhëheqësi i Kremlinit: Rosgvardia.
Grupi paraushtarak ndaloi rekrutimin e ushtarëve pas marshimit të dështuar në Moskë, duke u detyruar të çmontojë bazën e tij ushtarake në Rusinë jugore dhe të dorëzojë tonelata me armë. Në atë kohë, Putin u ofroi luftëtarëve të nënshkruanin kontrata me ushtrinë, duke e bërë grupin Wagner të zhdukej plotësisht. Pas vdekjes së Prigozhinit, një ish-komandant i lartë i Wagner, Andrei Troshev, u takua me Putinin rreth një përdorimi të mundshëm të Wagnerit në Ukrainë. Një takim që përfundoi në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas “The Guardian”, forcat e Putinit filluan të rekrutojnë ushtarë Wagner në fillim të këtij muaji për t'u dislokuar në Ukrainë. “Ne po kërkojmë urgjentisht njerëz të rinj këtë muaj. Do të luftojmë si Wagner, por kontratat do të nënshkruhen me Rosgvardia”, tha Andrei Bulgakov, një veteran i Wagner.
Siç shpjegon Bulgakov, njësia e Wagnerit brenda Rosvgardia do të komandohet nga Paveli (25 vjeç), djali i Prigozhinit. “Pavel Yevgenyevich tani është në krye”, komenton ai.
Fundi i Wagner
Pavarësisht gjithçkaje, ajo që duket e sigurt është fundi i Wagnerit si një formacion paraushtarak. Denis Korotkov, një ekspert rus i grupit paraushtarak, beson se me marshimin e Jevgenit në Moskë ndryshoi gjithçka që lidhej me Wagnerin. “Prigozhin u lejua të pasurohej nën bekimin e drejtpërdrejtë të Putinit. Por, kjo ndryshoi në momentin kur ai marshoi drejt Moskës”, thotë ai.
Tani, nuk është e qartë se sa ushtarë kishte Wagner para shpërbërjes së tij. Sipas Korotkov, në kohën e kryengritjes kishte rreth 3000 ushtarë me përvojë. Dhe, pas pushtimit, ky numër do të ishte rritur në 25 000 ushtarë, shumë prej tyre ish të dënuar.
“Shteti tani do të kërkojë të rekrutojë këta luftëtarë duke përvetësuar markën Wagner. Por, pas banderolës nuk ka më asnjë strukturë të organizuar. Wagner si një entitet i pavarur pushoi së ekzistuari pas vdekjes së Priogozhin”, vëren Korotkov. Ai gjithashtu siguron që asnjë komandant i rangut të lartë Wagner nuk do të jetë në gjendje të drejtojë ndonjë brigadë tjetër pas rebelimit.
Në çdo rast, ka shumë ushtarë që, duke parë armiqësinë e kaluar të Kremlinit ndaj Grupit Wagner, tregohen të kujdesshëm në lidhje me nënshkrimin e çdo kontrate me ushtrinë e rregullt. Për këtë arsye, ata zgjedhin një rrugë tjetër, atë të grupeve të tjera mercenare që lidhen me oligarkët e Moskës. Në këtë aspekt, Redut është opsioni kryesor. Kjo kompani private ushtarake ka operuar në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe gjithashtu në Ukrainë, pasi u themelua në vitin 2008 nga parashutistët rusë pranë shërbimeve të inteligjencës ruse. Pas rënies së Wagner, Redut duket se i ka zënë vendin.
“Wagner është e kaluara. Nëse jeni vërtet të interesuar për një punë në Afrikë, atëherë Ministria e Mbrojtjes dhe Redut PMC janë zgjedhja juaj”, thuhej në një reklamë në rrjetin social rus VKontakte. (A2 Televizion)