Glauk Konjufca është i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatar për formimin e Qeverisë së re në Kosovë.
Pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për të marr 61 vota, tash Vetëvendosje do të tentojë sërish për të pasur një shumicë parlamentare kësaj radhe me Konjufcën.
Ish-kryetari i Kuvendit synon të jetë në krye të një Qeverie jetëshkurtër, deri në pranverë, kur të afrohet afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Deri atëherë synohet të votohet buxheti i vitit të ardhshëm, dy marrëveshje për Planin e Rritjes së Bashkimit Europian, buxheti për tri komuna dhe fondet për transmetuesin publik, RTK.
“Maturia shtetërore në këto rrethana dhe në këtë moment është të kemi një qeveri së paku deri atëherë kjo do ta përfshinte edhe buxhetin, nevojitet konsensus i të gjitha forcave politike që kjo të ndodhë. unë besoj që forcat opozitare do të reflektojnë dhe do ta kemi një bashkëpunim pozitiv”, tha Konjufca
Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes u mblodh mesditën e së martës, një ditë para se të skadojë afati për presidenten Vjosa Osmani për të marr një vendim.
Në kabinetin e Konjufcës do të ketë edhe vend për Albin Kurtin që do të propozohet për zëvendëskryeministër të parë dhe ministër për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
“Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar, unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin sic jemi dakorduar në kryesi bashkë. Le të votohet më pas buxheti i shtetit e buxhetet komunale, le të votohet Plani i rritjes së BE për fondet e vlefshme, le të bëhen disa punë të domosdoshme e pastaj shkojmë në zgjedhje”, shtoi Kurti.
Konjufca tha se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni nga asnjëra parti duke ngritur pikëpyetje të mëdha se si do të sigurohen 61 vota.
“Unë mendoj që ky nuk do të jetë një proces në të cilën ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë e thjeshtë ta krijojmë një qeveri të re për t’i shmangur dy gjëra shumë të rëndësishme, e para është zgjedhjet e menjehrshmë dhe e dyta është që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për të mundur që Kosova të ketë buxhetin e saj për vitin 2026”, tha Konjufca.
Për Lëvizjen Vetëvendosje ky është kompromisi më i madh që mund të bëjnë prandaj kërkojnë që partitë opozitare të bëjnë kompromise.
“Opozitarëve iu themi ju lutem mos u betononi në pozitën e bllokuesit ja ku e keni shansin, mos e leni që të ik edhe ky shans Kosovës sonë të përbashkët”, deklaroi kryeministri.
Tashmë mbetet në dorën e presidentes Vjosa Osmani nëse dëshiron të mandatojë ose jo Konjufcën.
Në rast se mandatohet atëherë do të ketë 15 ditë kohë për të ftuar seancën dhe për t’u votuar kabineti i ri qeveritar. Në rast se jo, duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. (A2 Televizion)
