Rubio pret ministrat e Jashtëm të G20 në Atlanta, në fokus ekonomia globale dhe tensionet gjeopolitike

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 15:59 | Bota

Rubio pret ministrat e Jashtëm të G20 në Atlanta, në fokus

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pret në Atlanta ministrat e Jashtëm të vendeve të G20-s, në një takim dyditor ku në fokus do të jenë ekonomia globale, siguria ndërkombëtare dhe konfliktet gjeopolitike.

Takimi zhvillohet më 30 dhe 31 tetor dhe synon përgatitjen e diskutimeve për samitin e liderëve të G20-s, i cili do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor në Miami, nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Në tryezën e diskutimeve pritet të marrin pjesë përfaqësues të fuqive kryesore botërore, përfshirë Kinën, Rusinë, Indinë dhe Bashkimin Europian.

Një nga pjesëmarrësit që pritet të tërheqë vëmendje është ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili do të jetë i pranishëm pavarësisht tensioneve mes Moskës dhe vendeve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë.

Diskutimet do të përqendrohen te sfidat e sigurisë ndërkombëtare, ekonomia botërore dhe ndikimi i konflikteve në tregtinë dhe furnizimin global.

Një çështje e rëndësishme do të jetë edhe garantimi i lirisë së lundrimit në rrugët strategjike detare, si Ngushtica e Hormuzit, Deti i Kuq, Deti i Zi dhe Deti i Kinës Jugore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos