Pas një periudhe të gjatë pa ambasadorë të konfirmuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, administrata e presidentit Donald Trump ka nisur procesin e emërimeve të reja diplomatike në rajon.
Shtëpia e Bardhë ka nominuar ambasadorë për Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa më herët ishte nominuar edhe Eric Wendt për Shqipërinë. Për Kosovën ende nuk ka një emër të propozuar, ndërsa Ambasada amerikane në Prishtinë vazhdon të drejtohet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati.
Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit, gjeneral brigade në pension në Korpusin e Marinsave të SHBA-së.
Për Serbinë është nominuar Michael Young nga shteti i Jutas. Gjatë administratës së presidentit George H. W. Bush, Young ka punuar në Departamentin amerikan të Shtetit si ambasador për çështje të tregtisë dhe mjedisit, si dhe si zëvendësnënsekretar për çështje ekonomike dhe bujqësore dhe zëvendëskëshilltar ligjor.
Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut. McCoy, gjatë karrierës së tij juridike, shërbeu si prokuror shtetëror për Distriktin e Karolinës së Jugut nga viti 2020 deri më 2021, ndërsa më herët kishte punuar si prokuror penal.
Këto emërime vijnë në një moment kur Uashingtoni ka publikuar edhe një raport të ri për politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor, i cili sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm të qasjes amerikane. Në dokument thuhet se “epoka e ndërtimit të kombeve e udhëhequr nga SHBA ka kaluar” dhe se fokusi amerikan nuk do të jetë më ndërhyrja e drejtpërdrejtë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike, por ruajtja e stabilitetit dhe ndërtimi i partneriteteve me përfitim të ndërsjellë.
Raporti thekson se administrata Trump pret që vendet e rajonit dhe aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.
Megjithatë, dokumenti i Departamentit të Shtetit e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane. (A2 Televizion)