Shëndeti i kryebashkiakut, Veliaj kërkon ndihmën e GJKKO, SPAK: S’ka emergjencë

Nga Armand Bajrami
17 Nëntor 2026, 16:18 | Kronikë

Shëndeti i kryebashkiakut, Veliaj kërkon ndihmën e GJKKO, SPAK:

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi të martën ndërhyrjen e Gjykatës së Posaçme për t’i vënë në dispozicion dokumentet shëndetësore të vizitës së tij në Spitalin Memorial të Fierit.

Përmes një shkrese drejtuar gjykatës, në procesin ndaj tij dhe të bashkëpandehurve, Veliaj shprehte vullnetin për të qenë i pranishëm në seancë, por theksonte se nuk e kishte të mundur për arsye shëndetësore.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i tha gjykatës se mjekët i kishin rekomanduar kryebashkiakut ndërhyrje kirurgjikale, por as spitali dhe as burgu nuk i kishin vënë në dispozicion rezonancën dhe grafitë e këmbës.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Olsi Dado, e cilësoi informacionin e paraqitur nga avokati si të njëanshëm.

“Mjeku turk i Spitalit Memorial ka bërë shënim që ka nevojë për ndërhyrje, por nuk ka folur për asnjë situatë emergjente”, tha Dado.

Më tej, pa e përmendur drejtpërdrejt Asamblenë e PS-së, prokurori Dado i tha gjykatës se “Veliaj ka kërkuar leje disa ditë më parë për të marrë pjesë fizikisht në evente të caktuara, ku nuk na ka paraqitur pretendime të tilla”.

Në përgjigje të këtij pretendimi, avokati Ndreca saktësoi se pjesëmarrja e kërkuar nga Veliaj kishte qenë alternative: fizikisht ose përmes videokonferencës.

Gjykata i konsideroi të paprovuara pretendimet për pamundësinë e Veliajt për të marrë pjesë në sallën e gjyqit, si dhe argumentet e mbrojtjes, ndaj vendosi të vijojë gjykimin në mungesë të tij.

Në përgjigje të një kërkese të mëparshme të Veliajt, gjykata urdhëroi Prokurorinë që t’i vinte në dispozicion mbrojtjes zarfet me të cilat ishin dërguar në SPAK informacionet nga personat e paidentifikuar, Nesti Angoni dhe Nasta Pëllumbi. Bëhet fjalë për materiale mbi të cilat ka nisur hetimi ndaj kryebashkiakut.

Seanca e radhës ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe të bashkëpandehurve u caktua më 24 nëntor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos