SHBA s’po na merr seriozisht Moska: Pasoja fatale nëse shpërfillin paralajmërimin për armët

Nga Rosalba Bejdo
3 Qershor 2024, 15:33 | Bota

Shtetet e Bashkuara mund të përballen me pasoja fatale nëse shpërfillin paralajmërimin e Moskës për të mos e lejuar Ukrainën të përdorë armatimet e siguruara nga Uashingtoni për të goditur objektivë brenda Rusisë.

Është zv/ministri i Jashtëm, Sergei Riabkov i cili I bën jehonë qëndrimit të Kremlinit lidhur me çështjen, duke i përshkallëzuar edhe më tej paralajmërimet që Kremlini po adreson gjithmonë e më shpesh ndaj perëndimit.

“Dua të paralajmëroj amerikanët kundër ndonjë keqllogaritjeje, që mund të ketë pasoja fatale. Për arsye ende të panjohura, ata minimizojnë seriozitetin përgjigjes mund të marrin.”

Zyrtari i cituar nga agjencia e lajmeve Ria Novosti, ju referua komenteve të javës së kaluar nga presidenti Putin, i cili tha se shtetet e NATO-s, po luanin me zjarrin dhe po çonin drejt një konflikt më të madh global.

“I bëj thirrje lidershipit në SHBA të shpenzojë kohën që me sa duket e kalon me ndonjë video-loje, duke gjykuar nga qasja e paarsyeshme, në analizimin e asaj që u thanë detaje nga Putin...”

Sipas tij, presidenti rus kishte lëshuar një paralajmërim shumë të rëndësishëm, i cili duhej të trajtohej seriozisht.

Shefi i Kremlinit tha se perëndimi do të përfshihej direkt në konflikt nëse armët që i siguron Ukrainës përdoren për të sulmuar thellë në territorin rus.

Por, NATO pretendon se aleanca ka të drejtën të mbështesë ukrainën të vetëmbrohet dhe se kjo nuk e bën palë në konflikt.

Reagimi i ashpër i Rusisë erdhi pasi presidenti amerikan Joe Biden aprovoi javën e kaluar përdorimin e armatimeve të siguruara nga SHBA, për të shënjestruar objektivë brenda Rusisë qe janë të përfshira në sulmet kundër rajonit të Harkiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos