Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi, ka deklaruar se prania e administratës Trump dhe e ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme po i shërben vetëm interesave të Izraelit.
Sipas tij, kjo situatë ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në opinionin publik amerikan dhe është një nga arsyet e rënies së mbështetjes për Presidentin Donald Trump.
Duke komentuar zgjedhjet e mesmandatit në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Laçi u shpreh se në perceptimin e një pjese të opinionit publik amerikan, Trump po shfaqet si një president i shantazhueshëm nga kryeministri izraelit Benjamin NetanJahu.
“Administrata Trump dhe ushtria amerikane në Lindjen e Mesme ndodhen aty vetëm për Izraelin. Kjo ka pasur impakt të jashtëzakonshëm në SHBA dhe një ndër arsyet pse kuotat e Trump janë ulur, është pasi në opinionin publik amerikan, Presidenti Trump është dizajnuar si i shantazhueshëm nga Netanjahu, që duket se edhe ai me gjasa s’do të formojë qeverinë”, tha eksperti.
“Me atë që kam parë, me veprimet e pakontrolluara, me formën se si është sjellë në raport me konfliktin në Gaza dhe me konfliktin me Iranin, një herë thotë që ne do të diskutojmë me palët për të krijuar një raport dhe më pas konkludojmë paqe… Ndërkohë, në momentet që arrihet kjo paqe, cenohet nga bombardimet”, shtoi ai.
(A2 Televizion)