Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me atë rus Vladimir Putin më 15 gusht në Alaska për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.
Njoftimin e shumëpritur e bëri kreu i Shtëpisë së Bardhë në një postim në rrjetet sociale, pasi tha se palët ishin pranë një marrëveshje që mund të zgjidhte konfiktin më shumë se 3-vjeçar, shkruan A2.
Ujdia mund t’i kërkojë Ukrainës të dorëzojë një pjesë të konsiderueshme territori. Teksa ju drejtua gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump sugjeroi se marrëveshja mund të përfshijë shkëmbime: “Është e komplikuar. Në fakt, nuk është asgjë e lehtë. Është shumë e komplikuar. Por, do të marrim një pjesë të territorit, e do të shkëmbejmë disa. Do të ketë disa shkëmbime territoresh në të mirë të të dyjave palëve. Por, do të flasim për këtë më vonë”.
Megjithatë, Presidenti Volodymyr Zelensky e bëri të qartë të shtunën se Ukraina nuk mund ta shkelë Kushtetutën e saj për çështje territoriale, duke thënë se ukrainasit nuk do të heqin dorë nga toka e tyre.
“Presidenti Trump njoftoi përgatitjet për takimin e tij me presidentin Putin në Alaska. Shumë larg kësaj lufte që po bëhet ndaj tokës dhe njerëzve tanë, dhe që nuk mund të mbyllet pa ne, pa Ukrainën. Sigurisht ne nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që bëri kundër nesh. Ukrainasit meritojnë paqe, por partnerët duhet ta kuptojnë se çfarë është një paqe dinjitoze. Përgjigjja për çështjen e shkëmbimit të territoreve është në Kushtetutë dhe ne nuk do të devijojmë prej saj. Ukrainasit nuk do t’i japin tokën e tyre pushtuesve”, tha Zelensky.
Edhe Kremlini konfirmoi takimin, me këshilltarin e lartë Yuri Ushakov që tha se bisedimet mes dy udhëheqësve do të fokusoheshin tek mundësitë për një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë.
Putin do aneksimin e 4 rajoneve, Luhansk, Donjetsk, Zaporizhia dhe Kherson, pas Krimesë së pushtuar në 2014. Por, forcat e tij nuk e kanë kontrollin e plotë të territorit në këto rajone. Bloomberg raportoi më herët se zyrtarët rusë dhe ata amerikanë po punonin drejt një marrëveshje që do t’i jepte Moskës territorin e kontrolluar aktualisht, por Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet. (A2 Televizion)