Vendoset paqja mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA, në prani të Presidentit Donald Trump, e cila pritet të çojë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, pas dekadave konflikt.
Ujdia mes dy rivalëve në Kaukazin Jugor, nëse mban, do të ishte një arritje e rëndësishme për administratën Trump, por që me gjasë do të bezdisë Moskën, e cila e sheh rajonin brenda sferës së influencës së vet.
“Kanë luftuar për një kohë të gjatë, për 35 vjet dhe tani janë miq. Dhe do të jenë të tillë për një kohë të gjatë. Është një nder i madh që t’ju mirëpres sot në Shtëpinë e Bardhë për këtë takim historik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit”, tha Trump.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë në konflikt që prej fundit të viteve ’80, kur Nagorno Karabak, një rajon malor azer, i populluar kryesisht nga armenë etnikë, u shkëput nga Azerbajxhani me mbështetjen e Armenisë. Azerbajxhani mori sërish kontrollin e plotë në 2023, duke detyruar gati të gjthë popullsinë prej 100 mijë banorësh të largohen në Armeni.
Trump tha se dy vendet duhej të ndalnin luftimet dhe të hapeshin ndaj marrëdhënieve diplomatike dhe respektit ndaj integritetit territorial të secilit. Marrëveshja përfshin të drejta ekskluzive ndërtimi për SHBA për një korridor strategjik tranziti, përmes Kaukazit jugor që Shtëpia e Bardhë tha se do të lehtësojë eksportet e energjisë dhe burimeve të tjera.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin firmosur ujdi të veçantë me secilin vend për të rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Të dy liderët, Ilham Aliyev i Azerbajxhanit dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan vlerësuan Trumpin për përpjekjet dhe thanë se do ta kandidonin për çmim Nobel për Paqen. (A2 Televizion)