Trump paralajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve me LaCivita-n, zbulohet arsyeja

Nga A2 CNN
7 Tetor 2026, 23:23 | Bota

Trump paralajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve me

Presidenti amerikan Donald Trump mund të ndërpresë marrëdhënien me këshilltarin Chris LaCivita, emri i të cilit u bë i njohur në Shqipëri gjatë angazhimit të tij në fushatën e PD-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar të mërkurën se do t’i ndërpriste marrëdhëniet me dy këshilltarë të tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair nëse do të konstatonte se aktiviteti i tyre i jashtëm si konsulentë përbënte konflikt interesi.

Paralajmërimi erdhi pas një raportimi të "New York Times", sipas të cilit dy këshilltarët politikë u angazhuan në Republika Srpska, një territor autonom brenda Bosnje dhe Hercegovinës, e lidhur me Rusinë. Aty LaCivita dhe Blair kanë ofruar këshilla për zgjedhjet, ndërsa njëkohësisht ndihmonin në drejtimin e operacionit politik të Trump për zgjedhjet afatmesme.

“Nuk kam asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pas reflektimit, do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt, do t’i shkarkoj menjëherë!”, shkroi Trump të mërkurën në Truth Social.

Sipas gazetës, secili prej tyre u pagua me qindra mijëra dollarë përmes një firme ligjore në Uashington, të angazhuar nga qeveria e këtij territori. Puna e dy këshilltarëve ka shkaktuar kritika edhe brenda radhëve republikane, përfshirë rivalë të tyre në qarqet MAGA.

Trump theksoi të mërkurën se LaCivita dhe Blair punojnë për të si konsulentë të jashtëm dhe se ata “lejohen të punojnë edhe për të tjerë, ashtu si të gjithë konsulentët në Uashington”.

Në postimin e tij, Trump nuk identifikoi ndonjë konflikt specifik interesi dhe nuk përmendi udhëtimin në Ballkan. Trump shtoi se do t’u kërkonte të dyve listën e klientëve të tyre.

I pyetur nga gazetarët për raportimin, Trump tha se dy këshilltarët “nuk janë ulur rreth tryezës së kabinetit”. “Ata janë konsulentë dhe jam i sigurt se kanë edhe klientë të tjerë”, tha ai. Ai shtoi se do t’u kërkonte atyre listat e klientëve të tyre.

Shtëpia e Bardhë iu referua postimit të Trump në mediat sociale kur u pyet për koment. LaCivita, Blair dhe një përfaqësues i MAGA-s nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Kujtojmë LaCivita në vitin 2025 i ofroi këshillim Sali Berishës, në kuadër të fushatës së PD për zgjedhjet në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos