Ndërron jetë Maricarmen Abascal, simbol i protestave për të drejtat e strehimit në Spanjë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2026, 07:06 | Bota

Ndërron jetë Maricarmen Abascal, simbol i protestave për të

Maricarmen Abascal, fytyra e luftës për të drejtat e strehimit në Spanjë, nuk do të kthehet më kurrë në shtëpinë në Parkun Retiro të Madridit ku jetoi për 70 vjet.

Ajo ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, në Spitalin Gregorio Marañon të Madridit, ku ishte shtruar që nga dëbimi i saj më 23 shtator, kur u transportua me barelë mes një dislokimi masiv të policisë së trazirave, të cilëve iu desh të kalonin nëpër qindra njerëz të vendosur për ta parandaluar dëbimin me çdo kusht. Imazhet e dëbimit të gruas, me fytyrën e saj të trishtuar nga lodhja, të transmetuara drejtpërdrejt në televizion, u bënë virale në të gjithë botën.

"Lufto, vazhdo të luftosh për atë që është jotja", ishte motoja e gruas së moshuar, e dobët por energjike, e cila frymëzoi dhjetëra mijëra "të indinjuar" në të gjithë Spanjën. Lajmi për vdekjen e saj u njoftua nga Sindikata e Qiramarrësve, e cila e kishte mbështetur atë në betejën e gjatë për të shmangur humbjen e shtëpisë që kishte marrë me qira nga i ati në vitin 1956.

"Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen vdiq sot. Siç e dini të gjithë, dëbimi i saj u finalizua më 23 shtator dhe ajo kishte mbetur në spital që atëherë. Edhe pse më vonë u arrit një marrëveshje historike që do t'i lejonte asaj të kthehej në shtëpinë e saj, kjo zgjidhje erdhi shumë vonë. Pas largimit të saj, ne mbetemi me shembullin e saj të luftës dhe trashëgiminë morale që na la", tha sindikata, duke e quajtur dëbimin e gruas së moshuar "një situatë absolutisht të shmangshme, pas një gjyqi torture".

Gruaja e moshuar, e vetme dhe me një aftësi të kufizuar të certifikuar 50 përqind, kishte jetuar në shtëpinë e saj në lagjen Retiro që nga vdekja e prindërve të saj, duke paguar 500 euro në muaj qira. Por në vitin 2020, pasi ndërtesa u ble nga kompania Urbangestion, qiraja u pesëfishua, duke arritur në 2,650 euro në muaj, të cilat ajo i kishte të pamundur t’i përballonte.

Sapo u përhap lajmi për vdekjen e saj, një valë emocionesh dhe tronditjeje përfshiu qendrën e Madridit, nga Puerta del Sol, ku mijëra “të indinjuar” kërkuan veprime kundër krizës së strehimit. Ata marshuan në një procesion që u drejtua drejt Kongresit të Deputetëve.

Pas lajmit për vdekjen e 87-vjeçares Maricarmen Abascal, dëbimi i të cilës në Madrid shkaktoi protesta në rrugë në të gjithë vendin kundër krizës së strehimit, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u shpreh: "I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të Maricarmen. Një përqafim edhe për të gjithë ata që sot e ndiejnë këtë humbje sikur të ishte e tyre. U prehtë në paqe”, shkroi në X nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos