Si mësojnë shqip mes bombave fëmijët në Gaza: Kalamaj shqiptarë, ju duam shumë!

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 17:41 | Bota

Fëmijë të vegjël, të mbledhur në një tendë, që mësojnë shqip. Është kjo pamja që na vjen nga Gaza, vendi i cilësuar sot si “Ferri mbi tokë”. Avioni izraelit kalon mbi kokat e tyre dhe nxitojnë të struken. Por fatmirësisht këtë herë nuk shpërtheu ndonjë bombë.

“Kuptojnë pak shqip, por ende nuk flasin dot mirë”, thotë shqiptaro-palestinezi Abdullah Jabir, i cili publikoi videon prekëse. “Kalamajtë që janë në Gaza kanë harruar gjërat që duan më shumë. Kanë qejf të shkojnë në shkolla. Kalojnë në shkollat që ishin, i gjejnë të goditura, nëse nuk janë të goditura i gjejnë me refugjatë. I ka marrë malli për shokët”, tregon Jabir, raporton A2 CNN.

Një javë më parë, Jabir tregoi historinë e dhimbshme personale. I martuar me Albinën nga Korça, Jabir ka jetuar në Shqipëri që nga viti 1994. Një djalë e ka ende në Tiranë, një tjetër jeton me të në Gaza, ndërsa djali i tretë nuk jeton më, i vrarë gjatë luftës.

Si mësojnë shqip mes bombave fëmijët në Gaza: Kalamaj

Fëmijët e vegjël palestinezë nuk flasin ende rrjedhshëm, por disa mesazhe i thonë qartë. “Kalamaj shqiptarë ju duam shumë!”, “Xhaxhi Edi Rama të kemi xhan. Xhaxhi Edi Rama, Izraeli po na vret”.

“Ky është mesazhi nga Gaza për popullin shqiptar. Dhe një mesazh për Edi Ramën. Sepse vetë Edi Rama ka hapur vendin për ata që ishin në Irak, që të mos vriteshin. Shqiptarët, tamam si puna e palestinezëve, kemi mbrojtur bashkë hebrenjtë nga nazistët në Luftën II Botërore. Kemi hapur vendet tona për ata, por më vjen keq, erdhën tek ne këtu dhe sot po bëjnë më keq se çfarë kanë bërë nazistët me ta. Mos jep suportin për vrasës, të cilët kanë vrarë 18 mijë fëmijë deri sot. Populli shqiptar do paqe, gjithmonë kemi mbrojtur viktimat”, thotë Jabir në videomesazh.

Edhe pse kudo i rrethon tragjedia, buzëqeshja e tyre nuk ndalet. “Dua një dhëndër shqiptarë”, thonë dy prej tyre. “Bëni gati dy dhëndurë shqiptarë”, mbyll mesazhin e tij Jabir. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos