Flota e Greta Thunberg humbet lirinë, Izraeli “pushton” anijen e aktivistes: Ja çfarë do t’i bëjmë asaj

Nga Xhevahir Qardaku
9 Qershor 2025, 14:38 | Bota

Izraeli pushton “Flotën e Lirisë” pa lejuar që të prekë tokën palestineze. Në fillim u lëshuan dronë dhe një substancë e bardhë në anijen e aktivistes Greta Thunberg që synonte të dërgonte ndihma humanitare në Rripin e Gazës.

“Po sulmohemi. Ju lutem, ndizni alarmin, ata po lëshojnë shumë substanca dhe objekte ndaj nesh. Dronët më të rrezikshëm janë sipër nesh. Po interferojnë në radiomarrësin tonë, po thonë gjëra të çuditshme duke interferuar komunikimin tonë. Po e bëjnë këtë që të mos marrim ndihmë”, tha aktivisti Thiago Avila.

Më pas erdhi ky paralajmërim: “Zona detare në brigjet e Gazës është e mbyllur për qarkullimin e anijeve si pjesë e një bllokade ligjore. Nëse dëshironi të dërgoni ndihma në Rripin e Gazës, mund ta bëni këtë përmes portit Ashdod me anë të kanaleve zyrtare dhe qendrave të shpërndarjes”.

Menjëherë ushtarët e Izraelit shkelën brenda anijes së Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, duke bërë dhe sekuestrimin e mjetit lundrues. Skenat e këtij momenti janë tepër dramatike, shkruan A2 CNN. Me duart lart dhe të dorëzuar, aktivistët në anijen Madleen ndalohen nga forcat e armatosura, të cilët fillimisht u ofrojnë ujë dhe ushqim. Megjithatë mesazhi i tyre për botën ishte ky: “Nëse e shikoni këtë video, do të thotë se ne jemi rrëmbyer në ujrat ndërkombëtare nga forcat pushtuese të Izraelit, apo forcat që mbështesin Izraelin. U bëj thirrje të gjithë miqve të mi, familjarëve apo shokëve që të bëjnë presion në qeverinë e Suedisë për të më liruar mua dhe të tjerët sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka ironizuar me aksionin në fjalë duke e quajtur “Jahti i Selfie-ve”, ndërsa njofton se anija do të ankorohet në brigjet izraelite. “Të gjithë pasagjerët janë të sigurt dhe pritet që të kthehen në vendet e tyre respektive”, thuhet në një njoftim. Ministria e jashtme shton se ndihmat humanitare të aktivistëve do të dërgohen në Gaza përmes kanaleve humanitare. Përpara se ta kthejnë në Suedi, autoritetet e Izraelit theksuan se do t’i tregojnë aktivistes Thunberg mizoritë e kryera nga Hamasi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos