Si po ndryshon popullsia e botës, superfuqitë kanë nisur të tkurren

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 10:45 | Bota

Si po ndryshon popullsia e botës, superfuqitë kanë nisur të

Një raport i fundit i OKB ka zbuluar një transformim të thellë demografik global: 63 vende të botës, përfshirë fuqitë si Kina, Gjermania dhe Japonia, kanë arritur tashmë kulmin e popullsisë dhe kanë hyrë në fazën e rënies. Deri në vitin 2054, pritet që edhe 48 shtete të tjera t’u bashkohen, duke ndikuar në rreth 10% të popullsisë botërore.

Në të kundërt, 126 vende, mes tyre India, Pakistani, Nigeria dhe Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të rriten, të shtyra nga norma të larta lindshmërie, popullsi e re dhe migrim pozitiv.

Pas dekadash rritjeje marramendëse, popullsia e Kinës nisi të bjerë në vitin 2022. Vlerësohet se deri në vitin 2100 vendi do të humbasë mbi 400 milionë banorë. Sfidat janë të mëdha: mungesë fuqie punëtore, ulje e konsumit, presion mbi pensionet dhe shëndetësinë. E vetmja zgjidhje: automatizimi masiv ose emigracioni selektiv, shkruan A2 CNN.

Në të kundërt, Nigeria, India dhe Pakistani po përjetojnë bum demografik. Afrika pritet ta dyfishojë popullsinë deri në vitin 2050, me moshë mesatare nën 20 vjeç në shumë shtete. Kjo ofron potencial ekonomik të jashtëzakonshëm, por edhe rreziqe nëse mungon investimi në arsim, shëndet dhe punësim.

Nigeria mbetet një paradoks: me vetëm 54,6 vjet jetëgjatësi, është në fund të renditjes botërore, ndonëse me ekonomi në rritje. Ekspertët paralajmërojnë se pa reforma të thella, vendi mund të mbetet “kryeqyteti i varfërisë” deri në vitin 2050.

Ndërsa disa vende plaken dhe boshatisen, të tjerat kërkojnë hapësira për miliona të rinj. Migracioni pritet të bëhet mekanizmi i ri i ekuilibrit global, duke riformësuar politikat, tregtinë dhe aleancat e së ardhmes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos