Siria në udhëkryq, alarmohen fqinjët, xhihadistët po integrohen në ushtri

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2024, 22:06 | Bota

Mbajtja e zgjedhjeve në Siri mund të zgjasë deri në katër vjet. Kështu ka bërë të ditur udhëheqësi de-facto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa në fjalimin e transmetuar në media.

Kjo është hera e parë që lideri i ri i Sirisë komentoi një plan kohor të mundshëm elektoral që kur Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti. Hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet, tha Sharaa në një intervistë me transmetuesin shtetëror saudit Al Arabiya. Ai tha gjithashtu se do të duhet rreth një vit që sirianët të shohin ndryshime drastike.

Komenti nga Sharaa, i cili drejton grupin Hayat Tahrir al-Sham që rrëzoi Asadin më 8 dhjetor, vjen ndërsa qeveria e re në Damask po kërkon të sigurojë fqinjët e saj se është larguar nga rrënjët e militantëve islamikë, shkruan A2 CNN.

Kur u pyet për shpërbërjen e grupit, Sharaa tha: "Sigurisht. Një vend nuk mund të drejtohet nga mentaliteti i grupeve dhe milicive."

Sundimtarët e rinj të Sirisë kanë instaluar disa luftëtarë të huaj, duke përfshirë ujgurë, një jordanez dhe një turk në forcat e armatosura të vendit, ndërsa Damasku përpiqet të formojë një grup grupesh rebele në një ushtri profesionale, thanë dy burime siriane për Agjencinë e Lajmeve Reuters.

Lëvizja për t'i dhënë role zyrtare, përfshirë ato të lartë, disa xhihadistëve mund të alarmojë disa qeveri të huaja dhe qytetarë sirianë të frikësuar për qëllimet e administratës së re, pavarësisht premtimeve të saj për të mos eksportuar revolucionin islamik dhe për të sunduar me tolerancë ndaj grupeve të mëdha minoritare të Sirisë.

Fushata e rrufeshme e grupit i dha fund luftës civile 13-vjeçare, por ka lënë një mori pyetjesh për të ardhmen e një vendi multietnik ku shtetet e huaja, përfshirë Turqinë dhe Rusinë, kanë interesa të forta dhe potencialisht konkurruese. Ndërsa fuqitë perëndimore në masë të madhe mirëpritën fundin e sundimit të familjes Assad në Siri, mbetet e paqartë nëse grupi do të imponojë një sundim të rreptë islamik apo do të tregojë fleksibilitet dhe do të shkojë drejt demokracisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos